Franco Foda ka folur për mediat para përballjes me Slloveninë në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026, duke theksuar rëndësinë e disiplinës taktike dhe përkrahjes nga publiku vendas.
„Po, jemi përballur me Kek dy herë Austri – Slloveni. Sllovenia ka mbrojtje të mirë, pranon shumë pak gola. Me rëndësi është të kemi mbrojtje të ngjeshur dhe të mendojmë se si të shënojmë, gjithmonë me përkrahjen nga mbrapa prej publikut“, u shpreh Foda.
Ai konfirmoi mungesën e mbrojtësit: „Dellova është i lënduar dhe nuk do të paraqitet në ndeshjen e nesërme“, tha ai.
Trajneri gjerman theksoi se atmosfera në ekip është pozitive dhe përgatitjet po shkojnë sipas planit.
„Atmosfera është shumë e mirë në ekip dhe, veç Dellovës, të gjithë janë të gatshëm për paraqitje. Sot kemi seancën e fundit stërvitore ku do të përqendrohemi më shumë taktikisht. Jam mjaft i bindur se në fushën tonë, para publikut tonë, do të kemi paraqitje të mirë“, deklaroi Foda.
Ai e cilësoi grupin e Kosovës si një nga më të baraspeshuarit në këto kualifikime:
„Jemi një grup prej më të balancuareve në këto kualifikime. Trajneri Kek ka pasur të drejtë: çfarëdo rezultati në fund të ndeshjes, jeta vazhdon dhe përgatitemi për ndeshjen e radhës“, theksoi ai.
Në fund, Foda foli edhe për mungesat në skuadër:
„Sigurisht që na mungon kapiteni Amir Rrahmani në mbrojtje, si dhe Dellova, por ne kemi treguar edhe kundër Suedisë që çdo lojtar që ftohet jep maksimumin dhe ka vlera e cilësi për ta bartur fanellën.“