Kosovë – Slloveni: Dardanët mbajtën stërvitjen zyrtare, sllovenët vetëm me konferencë për shtyp

Vedat Muriqi

Nesër, në ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, zhvillohet ndeshja e xhiros së tretë të Grupit B ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, në kuadër të kualifikueseve për Botërorin 2026.

Pas dy ndeshjeve të para, Kosova renditet e dyta me 3 pikë, pas Zvicrës që kryeson me 6 pikë. Sllovenia dhe Suedia kanë nga një pikë. Të dy kundërshtarët e nesërm kanë pësuar humbje nga Zvicra, ndërsa ndaj Suedisë kanë kaluar më mirë: Sllovenia barazoi 2-2 në sekondat e fundit të ndeshjes, ndërkohë që Kosova fitoi pastër 2-0, duke rritur ndjeshëm entuziazmin dhe shpresat për një fushatë të suksesshme, që mund të përfundojë edhe me kualifikim për Kampionatin Botëror 2026.

Edon Zhegrova
Edon Zhegrova

Në ditën e fundit para ndeshjes, Kosova zhvilloi seancën e fundit stërvitore në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, pasi paraprakisht seleksionuesi Franco Foda dhe portieri Arijanet Muriç mbajtën konferencën zyrtare për shtyp.

Ndërkohë, përfaqësuesja e Sllovenisë, e drejtuar nga Matjazh Kek, mbërriti sot në Prishtinë pas fluturimit nga Ljubljana. Sllovenët nuk do të mbajnë stërvitje në Prishtinë, por vetëm konferencë për shtyp, e paraparë të mbahet nga ora 20:00.

Foda: Çdo lojtar që ftohet jep maksimumin dhe ka vlera e cilësi për ta bartur fanellën