Flamurtari, një klub në agoni: Heshtja që po e vret një histori të tërë

Flamurtari

Edhe tribunat e nisura nuk janë përfunduar – vetëm një pjesë e tyre është ndërtuar. Premtimi se stadiumi i klubit do të dislokohej në dalje të rrugës për Llukar ka mbetur thjesht një mashtrim i radhës nga udhëheqja aktuale komunale. Një projekt që duhej të ringjallte shpresën, sot është veç një tjetër dëshmi e neglizhencës dhe papërgjegjësisë institucionale.

 

Dikur simbol krenarie për kryeqytetin, sot një hije e vetvetes. Flamurtari, skuadra kuqezi që u shndërrua në ikonë të Prishtinës pas themelimit dhe sidomos pas viteve 80-ta, sot kalon momentet më të errëta në historinë e saj. E ngulitur në mes të tabelës së kategorisë së tretë, pa asnjë shpresë për rikthim, klubi duket i braktisur nga të gjithë.

Kriza financiare që e ka kapluar klubin është e thellë. Një pjesë e atyre që pretendojnë ta shpëtojnë janë të përfshirë në procese gjyqësore me pronarin aktual. Nuk është vetëm çështje menaxhimi – është një krizë identiteti. Sepse Flamurtari nuk është themeluar si pronë private më 1968. Ai lindi nga dashuria e qytetarëve, e atyre që e deshën dhe e ndërtuan me zemër. Sot, ai nuk mund të trajtohet si një aset në letra, as të mbahet peng nga interesa personale, pavarësisht çfarë statuti mund të ketë.

Pesë muaj pa paga. Shumë borxhe paraprake të papaguara dhe të falura apo jo. Premtime për shpërblime „premi“ për ndeshje që nuk realizohen. Klubi funksionon vetëm nga entuziazmi i trajnerëve dhe ndonjë individi të përkushtuar. Punonjës praktikisht nuk ka. Futbollistët? Ata luajnë në një terren të pasigurtë, ku motivimi dhe dinjiteti janë gjithnjë e më të brishtë. Mbetet vetëm Zoti për të ditur si mbijetojnë.

E dhimbshme është edhe heshtja. Legjendat e klubit, ata që dikur i dhuruan emocione këtij qyteti, sot nuk flasin. Askush nuk ngre zërin. Askush nuk bën thirrje.

Për të ndërprerë këtë heshtje, vjen një zë i thjeshtë, por plot shpirt – ai i një tifozi të zakonshëm, Kreshnik F. Ibrahimi. Një reagim që meriton të lexohet, të dëgjohet, të pasqyrohet:

“Flamurtari nuk është vetëm klub. Është histori, kujtesë, dashuri që nuk shuhet kurrë. Ky klub ka bashkuar njerëz, ka qenë strehë krenarie dhe uniteti. Dikur simbol i forcës dhe dashurisë për futbollin, sot po shuhet para syve tanë, i lënë në mëshirën e harresës, në një pozitë që nuk e meriton. Më keq nuk ka ku shkon.”

“Është e dhimbshme të shohësh se si drejtimi i dobët dhe mungesa e vizionit e kanë katandisur Flamurtarin në këtë gjendje. Ky klub ka nevojë për njerëz që e duan me zemër, profesionistë dhe vizionarë, ashtu siç kishte dikur, që ta ringjallin dhe ta kthejnë aty ku i takon. Është momenti që ata që e drejtojnë sot të bëjnë një hap prapa, sepse Flamurtari është shumë më i madh se interesat personale.”

“Është koha për ndryshim, për ringjallje, për të rikthyer pasionin dhe krenarinë atje ku dikur flakëronte. Flamurtari është i të gjithëve. Meriton jetë, dashuri, drejtim të duhur. Faleminderit për gjithçka që është bërë deri më sot, por tani duhet hapur rruga për njerëz të rinj, me dashuri dhe vizion për klubin.”

“Unë jam i vetmi që po reagoj, sepse askush tjetër nuk flet. Por e di që nuk jam i vetëm në dhimbje. Janë shumë të tjerë që e duan këtë klub me gjithë shpirt, por kanë zgjedhur të heshtin. MOS E LINI FLAMURTARIN TË SHUHET.”

Flamurtari
Flamurtari