Skuadra pejane e hendbollit, Besa Famgas, është mposhtur bindshëm në ndeshjen e parë të raundit të dytë të Kupës Evropiane. Përballja e zhvilluar të dielën mbrëma në qytetin Ljubuški të Bosnjë-Hercegovinës përfundoi me rezultat të thellë 40:19 në favor të kampionit vendas, Izviđač.
Që në pjesën e parë, vendasit dominuan plotësisht, duke e mbyllur me epërsi prej dhjetë golash (20:10). Mungesat e mëdha në përbërjen e Besës u reflektuan dukshëm në lojë. Klubi nga Peja udhëtoi me një ekip të përgjysmuar, pasi pati vështirësi të mëdha për pajisje me viza – një situatë e shkaktuar nga refuzimi i autoriteteve boshnjake.
Veçanërisht e ndjeshme ishte mungesa e dy përforcimeve egjiptiane, Ahmet Hosni Hamed dhe Amr Ali Abdulah Zayan, të cilët nuk arritën të pajisen fare me viza për të udhëtuar. Kjo ndikoi në organizimin dhe efikasitetin e skuadrës në parket.
Denis Terziqi ishte më efikasi për pejanët, duke realizuar gjashtë gola. Enis Kuleta dhe Jon Vokshi shënuan nga katër herë secili, ndërsa Amar Muqolli shtoi tre gola dhe Ilir Istrefaj dy të tjerë.
Ndeshja e kthimit zhvillohet më 19 tetor në palestrën “Karagaçi” në Pejë, ku Besa Famgas do të tentojë të japë një paraqitje më dinjitoze para tifozëve të saj.