Arsenali dha një demonstrim force në pjesën e dytë të përballjes ndaj Atlético Madridit, duke triumfuar 4-0 në „Emirates Stadium“ dhe duke shënuar fitoren e 100-të në historinë e tij në fazën kryesore të UEFA Champions League.
Kryesuesit e Premier League-s e nisën vrullshëm ndeshjen dhe që në minutat e para patën dy raste të pastra me Declan Rice dhe Myles Lewis-Skelly. Një moment paniku ndodhi kur portieri David Raya u kap jashtë porte, por Giuliano Simeone nuk përfitoi. Pavarësisht përpjekjeve, pjesa e parë u mbyll pa gola, edhe pse Martinelli shënoi një gol të anuluar për pozicion jashtë loje.
Në pjesën e dytë, skuadra e Mikel Artetës shpërtheu. Gabriel zhbllokoi rezultatin me një goditje me kokë pas një krosimi të Rice. Më pas, një aksion fantastik i Lewis-Skelly dhe Martinellit çoi në golin e dytë, ndërsa një devijim i Hancko pas një goditjeje të Gyökeres rezultoi në golin e tretë. Vetëm tre minuta më vonë, Gyökeres realizoi sërish, këtë herë me gju që nga afër pas një goditje këndi të ekzekutuar nga Rice.
Tifozët e Arsenalit e kthyen stadiumin në festë me brohoritje “Olé”, ndërsa “Topçinjtë” regjistruan fitoren e katërt radhazi pa pësuar gol dhe të shtatën fitore me radhë ndaj skuadrave spanjolle. Ndërkohë, për Atleticon, kjo humbje shënon fundin e një serie prej gjashtë ndeshjesh pa humbje dhe mbetet pa fitore në transfertë këtë sezon (3 barazime, 3 humbje).
Ndërsa në një tjetër sfidë dramatike të Champions-it, PSV poshtëroi Napolin me rezultatin 6-2, duke regjistruar fitoren e parë në grup dhe suksesin e parë të dyfishtë ndaj kundërshtarëve italianë në historinë e tyre evropiane.
Ndeshja nisi me raste nga të dyja skuadrat, por ishte Napoli që kaloi i pari në avantazh me një gol me kokë të Scott McTominay pas asistit të Spinazzolas. Megjithatë, reagimi i PSV-së ishte i furishëm: fillimisht një autogol i Buongiorno-s pas krosimit të Perišić, dhe më pas Saibari realizoi golin e dytë për vendasit pas një kundërsulmi të shpejtë.
Në pjesën e dytë, PSV shfrytëzoi çdo gabim të Napolit. Dennis Man shënoi golin e tretë pas një asistimi të Mauro Júnior, ndërsa Lucca u përjashtua me karton të kuq për protesta. Man realizoi një tjetër gol me një goditje të fuqishme, dhe edhe pse McTominay ngushtoi përkohësisht diferencën, PSV reagoi menjëherë me gola të Pepi dhe Couhaib Driouech, duke vulosur rezultatin 6-2.
PSV ngjitet në katër pikë në grup, një më shumë se Napoli, që pas humbjes me Torinon në kampionat, regjistron dy humbje radhazi për herë të parë që nga dhjetori i kaluar.
