Cristian Chivu bëri histori duke u bërë trajneri i parë i Inter që fiton tri ndeshjet e para të një fushate të UEFA Champions League pa pësuar gol. Fitorja 4–0 ndaj Royale Union Saint-Gilloise u vulos nga një gol dhe një asist i Francesco Espositos.
USG 0–4 Inter Milan
Në përballjen e parë në histori mes dy skuadrave – dhe vetëm të dytën për Unionin kundër një kundërshtari italian – belgët e nisën më mirë. Vetëm në minutën e tretë, Promise David depërtoi në mbrojtjen e Interit dhe goditi drejt portës, por Yann Sommer priti mrekullisht. Nga goditja e këndit që pasoi, topi mbeti te Christian Burgess, i cili gjuajti fort, por Lautaro Martínez e pastroi topin mbi vijën fatale.
Zikaltërit u zgjuan pas mesit të pjesës së parë, kur Hakan Çalhanoğlu testoi portierin Scherpen nga distanca, por ai reagoi sërish mirë. Megjithatë, Interi ishte i pandalshëm dhe përmbylli pjesën e parë me dy gola. Fillimisht, pas një goditjeje këndi të Çalhanoğlu që shkaktoi rrëmujë në zonë, Denzel Dumfries përfitoi dhe realizoi. Në kohën shtesë, Dumfries u kthye në asistent pasi shpërtheu nga krahu, pasoi për Espositon, i cili asistoi Martínezin që përfundoi aksionin me një gjuajtje precize të harkuar.
Çdo shpresë e vendasve për rikthim u shua vetëm pesë minuta pas rifillimit të lojës, kur pas ndërhyrjes së VAR u akordua një penallti për Interin, për prekje me dorë nga Kamiel Van de Perre. Çalhanoğlu ekzekutoi saktë, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të majtë. Në minutën e 76-të, Interi kompletoi „pokerin“ pas një kundërsulmi të shpejtë ku Ange-Yoan Bonny depërtoi në zonë dhe ktheu topin te Esposito që e dërgoi në rrjetë.
Fitorja e thellë 4–0 e mban Interin me pikë të plota në këtë edicion të Champions-it dhe shënon suksesin e shtatë radhazi në të gjitha garat. Union, ndërkohë, regjistron vetëm një fitore në tre ndeshjet e para të fazës së grupeve.

Pa „Silva“-n e artë – City fundos “Nëndetësen e Verdhë”
Villarreal 0–2 Manchester City
Manchester City i dha fund një serie prej pesë ndeshjesh pa fitore jashtë fushe në UEFA Champions League, duke mposhtur Villarrealin 2–0. Me këtë fitore, “qytetarët” u bënë skuadra e parë që triumfon në “Estadio de la Cerámica” që nga marsi, kur aty fitoi Real Madridi.
Villarreal e kishte humbur një epërsi prej dy golash në fundjavë dhe mbrojtja e tyre u tregua sërish e brishtë që në fillim. Vetëm pas 30 sekondash, Jérémy Doku pati një rast të artë për të shënuar, por Luiz Júnior realizoi një pritje spektakolare me njërën dorë. City dominoi që nga fillimi dhe nuk vonoi shumë për të gjetur rrjetën. Erling Haaland shënoi për ndeshjen e 12-të radhazi për klubin apo përfaqësuesen, pasi shfrytëzoi një kombinim të bukur në krahun e djathtë, me Rico Lewis që i dha një asist perfekt.
Në pjesën e parë, Villarreal nuk pati pothuajse asnjë kërcënim të vërtetë. Vetëm rreth minutës së 30-të, Pape Gueye provoi me një goditje nga jashtë zonës, por topi kaloi ngushtësisht jashtë. City e shfrytëzoi epërsinë e tij dhe e dyfishoi rezultatin pesë minuta para pushimit, kur Bernardo Silva u gjend i lirë në zonë dhe goditi me kokë pas një krosimi të saktë nga Savinho.
Pjesa e dytë nisi më e qetë, me City që kontrollonte ritmin pa shumë përpjekje shtesë. Sërish Savinho ishte i rrezikshëm rreth orës së lojës, duke testuar Luiz Júnior. Villarrealit iu deshën plot 70 minuta për të krijuar një rast të pastër, por brenda 30 sekondave, pati dy tentativa për të ngushtuar diferencën: fillimisht Gueye goditi fort nga jashtë zonës, por Donnarumma priti me siguri, më pas Nicolas Pépé goditi me kokë shumë pranë shtyllës.
Haaland pati dy mundësi të tjera për të thelluar rezultatin, por Luiz Júnior i mohoi golin. Megjithatë, këto nuk ndikuan në rezultatin final, pasi City e menaxhoi pa telashe fitoren. Kjo ishte vetëm fitorja e pestë në 15 ndeshjet e fundit jashtë fushe në Champions ndaj skuadrave spanjolle. Villarreal mbetet ende pa fitore në këtë edicion, pas tre javësh loje.