Me Manchester City që kishte fituar më herët dhe kishte ngritur tensionin në garën për titull, djemtë e Mikel Artetës synuan të rimerrnin menjëherë vendin e parë. Fulham pati një fillim premtues, me raste për Tom Cairney dhe Harry Wilson. Nga ana tjetër, Riccardo Calafiori mendoi se kishte kaluar Arsenalin në avantazh me një goditje të fuqishme me të majtën, por goli iu anulua për pozicion jashtë loje.

Topçinjtë nuk po ndiheshin rehat në “Cottage”, me Wilson që goditi jashtë dhe David Raya që devijoi në çast një kros-goditje të rrezikshme të Josh King. Megjithatë, miqtë e mbyllën pjesën e parë më mirë, me Bernd Leno që ndali një tentativë të ngushtë të Viktor Gyökeres, ndërsa Calafiori rrezikoi sërish me një goditje nga distanca. Para pushimit, Fulham pësoi një goditje me dëmtimin e Joachim Andersen.
Pas rifillimit, Wilson pati një tjetër mundësi, por e humbi me një volej pas asistit të Alex Iwobit. Dhe ishte pikërisht Leandro Trossard ai që zhbllokoi takimin për Arsenalin. Specialistët e goditjeve standarde e gjetën zgjidhjen nga një goditje këndi – Gabriel devijoi topin pas një harkimi të Bukayo Saka, dhe Trossard realizoi në shtyllën e dytë. Me këtë gol, Trossard u bë goleadori i 10-të i ndryshëm për Arsenalin këtë sezon në Premier League, më shumë se çdo skuadër tjetër (pa llogaritur autogolat).
Pak minuta më pas, gjyqtari Anthony Taylor akordoi një penallti për ndërhyrje të Kevin ndaj Sakas, por vendimi u anulua pas rishikimit me VAR.
Arsenali administroi pa shumë vështirësi minutat e fundit dhe konfirmoi formën pozitive jashtë fushe, me vetëm një humbje në 18 ndeshjet e fundit në transfertë në kampionat (10 fitore, 7 barazime). Kjo fitore është një mesazh i qartë për kampionët në fuqi, Liverpool, që mund të afrohen sërish me një fitore ndaj Manchester United nesër.
Nga ana tjetër, Fulham ka fituar vetëm një nga 15 përballjet e fundit direkte në Premier League ndaj Arsenalit (4 barazime, 10 humbje) dhe zbret në vendin e 14-të, pas humbjes së tretë radhazi në kampionat – diçka që nuk i kishte ndodhur që nga dhjetori i vitit 2023.