Liverpool shpartallohet nga Brentford – Ouattara dhe shokët fundosin kampionët

Brentford - Liverpool

Liverpool po kalon një krizë të thellë në Premier League, pasi u mposht 3-2 nga Brentford në Londër, duke regjistruar katër humbje radhazi në kampionat – diçka që nuk kishte ndodhur që nga marsi i vitit 2021.

Pas fitores bindëse 5-1 ndaj Frankfurtit në Ligën e Kampionëve në mesjavë, të besuarit e Arne Slot u përplasën me realitetin që në minutat e para të ndeshjes. Një rivënie e gjatë nga krahu e Michael Kayode, e devijuar nga Ajer, përfundoi në një vole të fuqishme të Dango Ouattara, që kaloi vendasit në epërsi. Mohamed Salah ishte pranë një reagimi të menjëhershëm, por u ndal nga ish-portieri i Liverpoolit, Caoimhín Kelleher, ndërsa Florian Wirtz humbi një rast të artë për të barazuar.

Brentford nuk u mjaftua me një gol dhe vazhdoi të sulmonte. Mikkel Damsgaard rrezikoi dy herë, por në njërën prej tyre u ndal nga një pritje spektakolare me një dorë e Mamardashvilit. Megjithatë, Damsgaard asistoi në golin e dytë në minutën e 38-të, duke lëshuar një pasim të jashtëzakonshëm për Kevin Schade, i cili nuk fali përballë portës.

Liverpool ngushtoi rezultatin në mënyrë të diskutueshme në fund të pjesës së parë. Në minutën e 45+5’ (megjithëse u akorduan vetëm 3 minuta shtesë), Milos Kerkez shënoi në shtyllën e dytë pas një pasimi të Conor Bradley.

Në pjesën e dytë, Brentford vazhdoi të dominojë dhe, pas një tjetër pritjeje të jashtëzakonshme të Mamardashvilit, fitoi një penallti pas faullit të Van Dijk ndaj Ouattarës. Igor Thiago e ktheu në gol me qetësi, duke rikthyer diferencën prej dy golash – goli i tij i katërt në po aq ndeshje.

Slot reagoi me katër zëvendësime të shpejta, por ishte sërish Salah ai që ngjalli shpresë, duke realizuar një gol të bukur në minutat e fundit – fundi i një agjërimi prej gjashtë ndeshjesh pa gol në klub. Megjithatë, ishte tepër vonë për të shmangur humbjen, që e çon Liverpoolin drejt një tjetër rekordi negativ: pesë humbje radhazi në Londër për herë të parë që nga viti 1970.

Ndërkohë, Brentford ngjitet në pjesën e sipërme të tabelës me fitoren e tretë në katër ndeshjet e fundit në Premier League – një mbrëmje historike për “Bletët”.

 

Standings provided by Sofascore