Kombëtarja e Kosovës në futboll për femra përballet sonte me Turqinë në ndeshjen e kthimit të fazës “play-out” të Ligës B në Ligën e Kombeve të UEFA-s. Pas humbjes 4-0 në Prishtinë, vajzat tona do të kërkojnë të reagojnë në Izmir, në stadiumin “Göztepe Gürsel Aksel”, ku ndeshja fillon nga ora 18:00 dhe transmetohet drejtpërdrejt në TRT Spor.
Takimi do të gjykohet nga gjyqtare nga Polonia, me Michalina Diakow si gjyqtare kryesore, ndërsa ndihmëset e saj do të jenë Paulina Baranowska dhe Aleksandra Mostowska. Gjyqtarja e katërt vjen nga Sllovakia – Miriama Boçkova.
Skuadra që kalon më tej pas këtyre dy përballjeve do të sigurojë qëndrimin në Ligën B të UEFA-s. Kosova ka nevojë për një fitore të thellë për të përmbysur rezultatin dhe për të ruajtur pozitën në këtë ligë.
Rruga e Kosovës drejt Botërorit 2027
Nëse Kosova nuk arrin të përmbysë rezultatin dhe bie nga Liga B, do të vazhdojë të garojë në Ligën C për kualifikimet drejt Kupës së Botës “FIFA Women’s World Cup 2027”, që mbahet në Brazil nga 24 qershori deri më 25 korrik.
Shorti për fazën kualifikuese të UEFA-s për këtë Botëror do të hidhet më 4 nëntor në selinë e UEFA-s. Ndeshjet e grupeve do të zhvillohen në muajt shkurt, prill dhe qershor, ndërsa faza “play-off” do të luhet nga tetori deri në dhjetor 2026.
Nga Evropa do të kualifikohen gjithsej 10 ekipe për në Botëror. Katër fitueset e grupeve të Ligës A kualifikohen automatikisht, ndërsa gjashtë ekipet e tjera do të dalin nga “play-off”-et e Ligave A, B dhe C. Nga shtatë ekipet që dalin nga “play-off”-et, gjashtë të parat në renditjen botërore do të sigurojnë një vend në finalet e Botërorit, ndërsa skuadra e shtatë do të luajë në “play-off”-in ndërkontinental për të kërkuar një vend shtesë.