Fundjava sjell ndeshje të zjarrta në Superligën e Kosovës në hendboll, si në konkurrencën e meshkujve, ashtu edhe te femrat. Derbi i madh mes Kastriotit dhe Rahovecit zhvillohet sonte në Ferizaj, ndërsa të dielën vëmendja spostohet te përballja mes kampionit Istogu dhe Shqiponjës nga Gjakova. Të dyja sfidat premtojnë emocion dhe rivalitet të lartë, ndërkohë që në kalendar janë edhe disa ndeshje tjera interesante si në Superligë, ashtu edhe në Ligën e Parë.
Kastrioti – Rahoveci, derbi i madh i Superligës në hendboll
Sonte në orën 19:00, palestra “Bill Clinton” në Ferizaj do të jetë skena e përballjes mes Kastriotit dhe Rahovecit – një derbi i zjarrtë në kuadër të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt). Dueli pritet me shumë interes, pasi përballjet e fundit mes këtyre dy skuadrave kanë qenë të mbushura me dramë dhe emocione, dhe e njëjta pritet edhe këtë herë në arenën që frymon me hendbollin. Ndeshja transmetohet në RTV 21+
Shqiponja sfidon Istogun në derbin e femrave
Përballja mes Istogut dhe Shqiponjës vlerësohet si ndeshja më interesante e xhiros së pestë në Superligën e Kosovës për femra në hendboll. Kjo ndeshje do të luhet të dielën në orën 18:00 në palestrën “Dresha” në Banjë.
Istogu, kampion në fuqi, ka fituar të tri ndeshjet e zhvilluara deri më tani dhe numëron gjashtë pikë, aq sa edhe Shqiponja, Samadrexha dhe Ferizaj. Ekipi nga Gjakova ka tri fitore dhe një humbje – të cilën e pësoi në shtëpi ndaj Samadrexhës me rezultat të ngushtë 27:26. Dy skuadrat kanë pretendime serioze për titull dhe pritet një duel i fortë.
Ndeshjet tjera në Superligë (femra)
-
Samadrexha – Kastrioti (e diel, ora 17:00)
-
Ferizaj – Besa (e diel, ora 18:00)
-
Tereza – Ulpiana (e hënë, ora 19:00) – kjo ndeshje mbyll xhiron e gjashtë