Në mes tensioneve në Vlorë Kërnaja i sjell fitore Partizanit dhe përmbysje në Elbasan, fitore shokuese e Vorës!
Emocione, tension dhe polemika kanë shoqëruar dy përballjet e sotme në kuadër të javës së shtatë të Kategorisë Superiore.
Flamurtari 0-1 Partizani
Në stadiumin e Vlorës, kuqezinjtë u përballën me Partizanin, në një sfidë të zjarrtë, e cila u shoqërua me tension mes pankinave dhe një gol të anuluar për Flamurtarin në pjesën e dytë, që shkaktoi shumë polemika.
Ndeshja nisi me risi në formacion, ku trajneri Moriero zgjodhi të aktivizojë tre ish-kapitenë të Partizanit – Telushin, Muratajn dhe Trashin – ndërsa trajneri i “demave” Kërnaja surprizoi me titullar Mateo Çipin, që debutoi këtë sezon ndaj ish-ekipit të tij.
Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 63-të, pas një autogoli të Trashit, që i dha avantazhin Partizanit dhe heshti tribunat në Vlorë.
Elbasani 1-2 Vora
Ndërkohë, në Elbasan u zhvillua një tjetër përballje mjaft e fortë, ku Vora përmbysi gjithçka dhe doli me tri pikë të çmuara përballë vendasve.
Qose zhbllokoi rezultatin në minutën e 54-të për Elbasanin, por miqtë reaguan shpejt. Daka barazoi në minutën e 64-të dhe në minutën e 86-të ishte Karrica ai që i dha Vorës fitoren, duke lënë verdheblutë në kërkim të rikthimit te fitorja.