Megjithëse zhvillohen tre derbi dhe dy ndeshje tjera për interesin e publikut të gjerë, kompania televizive që ka të drejtën e transmetimit nuk i merr parasysh këto, edhe pse orari prej orës 13:00 nuk do të binte ndesh me ndeshjen e „rëndësishme“ ndërkombëtare!

Të shtunën, para kamerave televizive, në „Riza Lushta“, Trepça ’89 e pret Feronikelin.
Po aq ndeshje të rëndësishme janë edhe në Prishtinë, Ramiz Sadiku – Liria dhe ndeshja tjetër në Mitrovicë, Trepça – Tefik Çanga.
Një udhëtim aspak i lehtë do të jetë për Vushtrrinë, po ashtu në Prishtinë, veçse në lagjen Arbëria kundër 2 Korrikut. Prishtinasit kanë filluar katastrofalisht sezonin, por fitorja ndaj Lirisë ka bërë që të gjithë favoritët të frikësohen dhe të kenë kujdes nga ekipi i trajnerit Labinot Haziri.
Ndërsa, një tjetër favorit, nuk do ta ketë aspak lehtë në Gjakovë, ku Vëllaznimi e pret Rilindjen 1974.
