FIFA gjobit FFK-në pas ndeshjeve të shtatorit ndaj Suedisë

FIFA ka publikuar listën e dënimeve për ndeshjet e zhvilluara në muajin shtator, të vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës 2026, ku ndër federatat e ndëshkuara figuron edhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

Kosova është gjobitur me 1000 franga zvicerane (rreth 1070 euro) për shkelje të rregullave që lidhen me “rendin dhe sigurinë në ndeshje”, konkretisht për ndezje të fishekzjarrëve dhe mjeteve piroteknike gjatë përballjes ndaj Suedisë.

Ndërkohë, për shkak të kartonit të kuq të Lindon Emërllahut, i cili do të mungojë në sfidën e së premtes ndaj Sllovenisë, FFK-së i është vendosur edhe një gjobë shtesë prej 5000 frangash zvicerane.

FIFA ka ndëshkuar gjithashtu edhe Federatën Zvicerane të Futbollit me 5000 franga, për shkak të “hyrjes apo tentimit të hyrjes në fushë nga shikuesit” në ndeshjen e zhvilluar më 5 shtator ndaj Kosovës.

Ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë një dënim prej 10 mijë frangash zvicerane, për mangësi në organizimin e ndeshjes së 9 shtatorit ndaj Letonisë.