Futbollisti slloven që luan në Serbi kërkon fitore me çdo kusht në „Fadil Vokrri“

Sllovenia do të përballet me Kosovën të premten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në një ndeshje që mund të përcaktojë fatin e saj në kualifikimet për Kupën e Botës 2026. Përfaqësuesja sllovene ndodhet nën presion të madh, pasi ende nuk ka shënuar asnjë fitore në këtë cikël.

Skuadra e drejtuar nga Matjaž Kek ka barazuar 2:2 në shtëpi ndaj Suedisë dhe ka pësuar humbje të rëndë 3:0 në Bazel kundër Zvicrës. Një tjetër dështim, këtë herë ndaj Kosovës, mund t’i shuajë shpresat për një vend në Botëror.

“Pa dyshim që kemi më shumë presion. Ndeshja e së premtes mund të vendosë shumë. Duhet të fitojmë për të mbetur në garë për dy vendet e para. Ndonjëherë presioni ndihmon për të reaguar më mirë dhe shpresoj që reagimi ynë të jetë pozitiv. Besoj se do të kthehemi nga Kosova me tri pikë”, deklaroi Max Elsnik, mesfushori i Cërvena Zvezdës, në një konferencë për media.

Elshnik theksoi se skuadra ka analizuar gabimet e bëra në humbjen ndaj Zvicrës, por tani është e përqendruar plotësisht te sfida me “Dardanët”. “Nuk ka rëndësi se si e arrijmë suksesin, e rëndësishme është të fillojmë të mbledhim pikë. Duhet të luajmë më mirë si ekip dhe të tregojmë karakter. E dimë cilësitë që ka Kosova, por besimi, mentaliteti dhe shpirti luftarak do të jenë vendimtarë”, shtoi ai.

27-vjeçari kujtoi se Sllovenia ka kaluar edhe më parë periudha të vështira, si në kualifikimet për Kampionatin Evropian apo në Ligën e Kombeve, por gjithmonë ka arritur të reagojë në momentet vendimtare. Ai u shpreh se mbështetja e tifozëve në shtëpi do të jetë kyçe për ta.

“Humbja në Bazel ishte e rëndë, por kemi reflektuar. Kemi diskutuar me trajnerin dhe mes vete për të gjetur arsyet. Tani mendojmë vetëm për Kosovën. Tribunat plot na japin forcë – dhe duhet të fitojmë këtë ndeshje jetike para përballjes me Zvicrën javën e ardhshme”, përfundoi Elshnik.