U21 takohen me San Marinon – Tovërlani: Favoritë vetëm në letër, në fushë nuk ka nënvlerësim

Afrim Tovërlani

Kombëtarja U21 e Kosovës ka nisur zyrtarisht grumbullimin për ndeshjen e radhës në kuadër të kualifikimeve për Euro 2027. Djemtë e trajnerit Afrim Tovërlani do të përballen me San Marinon, sfidë ku objektivi është i qartë: fitorja dhe tri pikë të plota.

Pavarësisht se në letër Kosova konsiderohet favorite, tekniku Tovërlani nuk lë vend për eufori.

“I kemi tetë ditë për përgatitje. Edhe pse shumica mendojnë se jemi favoritë, ne nuk e marrim asnjë ndeshje të fituar pa e mbyllur në fushë. Do të përgatitemi me seriozitetin më të madh për të qenë të gatshëm ndaj San Marinos, duke synuar pikët e plota, por pa nënvlerësuar kundërshtarin, pavarësisht se nuk njihet për rezultate pozitive”, – u shpreh Tovërlani.

Afrim Tovërlani
Afrim Tovërlani

Trajneri i “Dardanëve” U21 konfirmoi gjithashtu dy prurje të reja në skuadër dhe paralajmëroi që procesi i përfshirjes së lojtarëve të rinj do të vazhdojë:

“Kemi dy prurje të reja në këtë grumbullim dhe do të ketë edhe të tjera në vazhdim, për t’u dhënë mundësinë futbollistëve që ta dëshmojnë se e meritojnë fanellën e përfaqësueses.”

San Marino, kundërshtari i radhës, ndodhet aktualisht në Tiranë, ku do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj Shqipërisë U21, para se të udhëtojë drejt Prishtinës për sfidën zyrtare.

Kosova U21, ndërkohë, ka zhvilluar dy ndeshje në grupin kualifikues: barazim 0-0 ndaj Rumanisë në transfertë dhe humbje 1-3 ndaj Spanjës në një paraqitje që u vlerësua gjerësisht për cilësinë e lojës.

Tashmë, synimi është i qartë: fitorja e parë në këto kualifikime dhe vazhdimi i rrugëtimit drejt Euro 2027 me moral të lartë dhe identitet të fortë në lojë.