Përfaqësuesja e Sllovenisë ka nisur përgatitjet në Brdo pranë Kranjit për dy ndeshjet e tetorit në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Skuadra e trajnerit Matjazh Kek do të përballet më 10 tetor me Kosovën në Prishtinë dhe më 13 tetor me Zvicrën në shtëpi, në stadiumin “Stozhice” të Ljubljanës.
Përgatiti Kërlaçki | Burimi: Dnevnik (Slloveni), 1 dhe 6 tetor 2025
Pas rezultateve të dobëta në shtator – një barazim 2:2 me Suedinë dhe një humbje të thellë 3:0 ndaj Zvicrës – Sllovenia ndodhet në fund të Grupit B me vetëm një pikë dhe ka humbur hapin drejt kualifikimit të drejtpërdrejtë.
“Këto dy ndeshje do të tregojnë se në cilin drejtim do të shkojnë kualifikimet për ne. Me gjithë respektin për Kosovën dhe Zvicrën, ne thjesht duhet t’i fitojmë të dyja, nëse duam të qëndrojmë në garë”, theksoi trajneri Kek.
„Nuk ka më hapësirë për gabime“
Kek vuri theksin te qasja psikologjike e skuadrës.
“Kundër Suedisë patëm një pjesë të dytë shumë të mirë. Por në Bazel ishim të pafuqishëm – u dorëzuam shumë shpejt. Nëse edhe tani nuk reagojmë, atëherë nuk kemi të drejtë të flasim për Botërorin. Këto tre muaj duhet të jemi në nivelin më të lartë. Unë ende besoj te kjo skuadër.”
Për këtë grumbullim nuk ka ndryshime të mëdha. Nga mesfusha mungojnë Adrian Zeljkoviç dhe Jan Mlakar, në sulm mungon Andrazh Shporar, ndërsa jashtë listës është lënë edhe portieri Martin Turk. Në ekip rikthehen Jon Gorenc Stankoviç, Blazh Kramer dhe Nejc Gradishar. Për herë të parë është ftuar portieri i Celjës, Zhan Luk Leban, thekson Dnevnik nga Ljublana.
Pa Zajçin dhe me shqetësime për disa lojtarë
Për shkak të lëndimeve mungon edhe mesfushori Miha Zajc, për të cilin Kek tregoi se kanë zhvilluar një bisedë të sinqertë.
“Prioriteti i tij tani është Dinamo Zagrebi – dhe në njëfarë mënyre e kuptoj. Por në përfaqësuese nuk luhet për Keka apo kundër Keku, luhet për Slloveninë”, deklaroi ai.
Gjendja e disa lojtarëve në klubet e tyre është shqetësuese – si Bijol, Stojanoviç dhe Sheshko – por trajneri pret që në përfaqësuese të harrojnë problemet personale: “Përfaqësuesja është një mundësi për t’i treguar të gjithëve se kush je”, ka vazhduar, Dnevnik.
Sllovenia ndodhet në vendin e 50-të në renditjen e FIFA-s, Zvicra në të 17-in dhe Kosova në vendin e 91-të. Sllovenët kanë fituar dy herë ndaj Kosovës në përballjet e kaluara (1:0 dhe 2:1), ndërsa Zvicra ka një bilanc dukshëm më të mirë – 7 fitore në 10 përballje.
Në nëntor, Slloveninë e presin edhe dy ndeshje vendimtare: në shtëpi ndaj Kosovës dhe në udhëtim ndaj Suedisë. Vetëm vendi i parë në grup kualifikohet direkt për Botërorin 2026, që do të mbahet në Kanada, Meksikë dhe SHBA, ndërsa vendi i dytë shkon në “play-off”.