Sassuolo ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Hellas Veronës (0-1), falë golit të Andrea Pinamontit, i cili reagoi më shpejt se të gjithë pas një penalltie të pritur nga portieri Montipò.

Ndeshja ishte e balancuar dhe e gjallë që në fillim, me raste nga të dyja skuadrat. Portieri shqiptar Arijanet Muric u shfaq vendimtar për Sassuolon, duke ndalur disa tentativa të rrezikshme të brazilianit Giovane Nascimento dhe Suat Serdar. Në krahun tjetër, Montipò bëri një pritje të shkëlqyer ndaj goditjes së fortë të Laurienté.
Zhbllokimi erdhi në minutën e 71-të, kur Alieu Fadera u rrëzua në zonë dhe arbitri akordoi penallti për Sassuolon. Pinamonti dështoi fillimisht, pasi Montipò e priti goditjen, por sulmuesi italian ishte i pari mbi top dhe e dërgoi në rrjetë për avantazhin e Neroverdëve.
Në minutat e fundit, Verona u hodh në sulm për të kërkuar barazimin me tentativat e Gift Orban dhe Jean-Daniel Akpa Akpro, por Muric u tregua i sigurt, duke i dhënë skuadrës së tij tre pikë të vlefshme.
Me këtë fitore, Sassuolo ngjitet më lart në renditje, ndërsa Verona vazhdon krizën para portës dhe mbetet ende pa fitore këtë sezon në Serie A.
