Pas ndeshjes së dytë të fazës së grupeve në UEFA Conference League, që përfundoi me barazim 1-1 ndaj Omonias së Qipros, trajneri i Dritës, Zekerija Ramadani, ka vlerësuar si të merituar pikën e fituar dhe e ka cilësuar paraqitjen e skuadrës së tij si dinjitoze.
„Të dyja ndeshjet, si ajo në Finlandë si kjo sot në Prishtinë, kanë përfunduar me të njëjtin rezultat dhe, nëse analizojmë çfarë kemi prodhuar në 90 minuta në secilën prej tyre, mendoj se është rezultat i drejtë. Nuk krijuam shumë raste, por gjithashtu u ndëshkuam nga situatat standarde. Kam besim të plotë se pa një fitore nuk do të largohemi nga kjo garë“, tha Ramadani.
Trajneri theksoi se motivimi për ndeshjet evropiane nuk është problem për lojtarët e tij: „Në gara ndërkombëtare, motivimi nuk është çështje. Më sfiduese do të jetë të motivojmë ekipin për ndeshjen kundër Ferizajt. Por sot dhamë një paraqitje të denjë, e prezantuam futbollin e Kosovës me dinjitet. Omonia ishte favorit i madh, por ne patëm angazhim maksimal dhe për këtë i falënderoj futbollistët.“
I pyetur për komentet e trajnerit kundërshtar, Ramadani u tregua i rezervuar: „Nuk merrem me deklaratat e kolegëve të mi. Çdokush e sheh ndeshjen në mënyrën e vet. Unë jam i kënaqur me pikën e marrë, ndoshta kolegu im nga Omonia kishte më shumë presion nga mediat e tyre.“

Ai vlerësoi edhe rolin e stafit dhe klubit në mbështetjen e skuadrës: „Kam një staf shumë të përkushtuar dhe drejtues të klubit që janë pranë ekipit dhe e motivojnë atë. Pas kësaj ndeshjeje do ta harrojmë këtë barazim dhe nëse e përsërisim të paktën 50% të këtij angazhimi kundër Ferizajt, do të jemi afër objektivit. Qëllimi ynë është titulli kampion, sepse rruga më e lehtë për të arritur në grupet evropiane është të shpallesh kampion.“
Sa i përket kundërshtarit të ardhshëm në grup, Shelbourne, Ramadani u shpreh: „Nuk pajtohem që Shelbourne do të jetë kundërshtar më i lehtë. Ata luajnë para publikut të tyre dhe do të jetë një sfidë e vështirë.“
Për sa i përket mbështetjes nga tifozët, trajneri pranoi: „Nuk mund t’i detyrojmë tifozët të vijnë në stadium. Por ata që ishin sot, i falënderoj nga zemra. Sigurisht që do të ishte më mirë të kishim më shumë përkrahje, pasi kundërshtari do ta ndjente më shumë presionin.“
Në fund, Ramadani komentoi edhe formën në kampionat: „Nuk jemi të kënaqur me ecurinë në Superligë. Tre humbje në nëntë ndeshje nuk i kemi paramenduar. Por kemi reflektuar në ndeshjet e fundit dhe besoj se do të rikthehemi. Tani kemi në dispozicion 22 futbollistë dhe jemi të gatshëm për vazhdimin e sezonit.“