Me gjasë, Komisioni për Vlerësim, në përbërje: Besfort Kasumi (kryetar), Ismet Shurdhani dhe Ergyn Janovali (anëtarë), ka ndëshkuar dy gjyqtarët e ndeshjes Llapi – Drenica.

Në ndeshjen e së dielës, ndërmjet Llapit dhe Drenicës, ndodhi një gafë e rëndë nga ana e gjyqtarëve të udhëhequr nga kryesori Visar Kastrati, ndërsa siç duket, komisioni ka gjetur fajtor edhe gjyqtarin e VAR-it, Mervan Bejtullahu.
Pas penalltisë në favor të Drenicës, që erdhi nga një ndërhyrje e portierit Çoriç – i cili më herët kishte marrë një karton të verdhë – ai nuk u ndëshkua me kartonin e dytë. Ndeshja përfundoi me fitoren 4:3 të Llapit.
Ndërkohë, FFK vazhdon të mos jetë transparente në njoftimin e ndëshkimeve të gjyqtarëve, e sidomos në delegimin në Ligën e Parë, e ku as emrat e gjyqtarëve të ndëshkuar nuk publikohen fare, pavarësisht numrit në rritje të ankesave nga klubet.
Shembuj të fundit përfshijnë ndeshjet Dinamo – Kika (java e 13-të), si dhe Besa – Liria dhe Prizreni – Vushtrria (java e 14-të).