Trepça kërkon 300 bileta për derbin me Vushtrrinë – vendimi i Policisë mbetet i paqartë

Të shtunën, në kuadër të javës së 15-të të Ligës së Parë, do të zhvillohet një nga përballjet më të zjarrta të futbollit rajonal në Kosovë: derbi mes Vushtrrisë dhe Trepçës.

Ndeshja, përveç rëndësisë sportive, ka marrë vëmendje për shkak të kërkesës së Trepçës për të siguruar 300 bileta për tifozët e saj, Torcida. Kjo kërkesë vjen në një kohë kur rivaliteti mes dy tifozërive, Forca e Vushtrrisë dhe Torcida e Mitrovicës, është në pikën më të lartë.

Historikisht, në këto ndeshje nuk ka pasur shpesh prezencë të tifozëve mysafirë për shkak të tensioneve të njohura dhe kapacitetit të stadiumeve. Megjithatë, këtë herë mitrovicasit duket se janë të vendosur të udhëtojnë drejt Vushtrrisë për të mbështetur skuadrën e tyre.

Vushtrria pritet të japë përgjigje pozitive ndaj kërkesës, por vendimi përfundimtar i takon Policisë së Kosovës, e cila do të vlerësojë situatën nga aspekti i sigurisë.

Nëse lejohet pranimi i tifozëve mysafirë, Torcida do të akomodohet në cepin e tribunës perëndimore, në hyrjen nga rruga. Situata mbetet për t’u ndjekur me interes në ditët në vijim.