Trepça ’89 në superformë, shkel Kikën në Hogosht – Egzon Qerimi: Lojën e bukur e ndihmon fryma e bashkëpunimit

Egzon Qerimi

Trepça ’89 po vazhdon sezonin me formë të shkëlqyer, duke regjistruar fitore bindëse 4:0 në udhëtim ndaj Kikës në Hogosht. Ishte kjo fitorja e pestë sezonale për mitrovicasit, që kanë vetëm një humbje në 11 javët e para – atë ndaj befasisë së kampionatit, Tefik Çangës.

Egzon Qerimi ishte protagonist i madh në këtë takim, duke realizuar dy gola dhe duke çuar në gjashtë numrin e golave të tij këtë sezon, krahas edhe pesë asistimeve. Pas ndeshjes, Qerimi u shpreh për Kërlaçki:

Egzon Qerimi
Egzon Qerimi

“Formës sime personale i gëzohem vetëm kur shoh që edhe ekipi ka formë të mirë dhe frymë bashkëpunuese. Merita kryesore për këtë ia atribuoj bashkëlojtarëve. Sa i përket ndeshjes së sotme, ekipi tregoi karakter që nga fillimi – zbatuam me përpikëri urdhrat e trajnerit dhe fitorja erdhi me meritë, pas një loje të bukur.”

Në lidhje me pritshmëritë dhe objektivat sezonalë, Qerimi shtoi:
“Ambicia jonë kryesore është të zhvillojmë ndeshje të mira si kjo e sotmja. Nuk kemi presion – i marrim sfidat një nga një.”

Skuadra e drejtuar nga trajneri me përvojë, Gani Sejdiu, aktualisht ndodhet në vendin e pestë me 20 pikë, vetëm tre më pak se lideri aktual, Feronikeli 74 (23 pikë). Pikërisht këta dy rivalë do të përballen në javën e 12-të në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, në një derbi të madh që pritet të ndikojë ndjeshëm në ecurinë e garës për kreun e tabelës.