Fundjavë me polemika në futbollin kosovar. Ekipi i Tefik Çangës ka reaguar me anë të një videoje ku shihet se lojtarët janë detyruar të ndërrohen brenda në autobus, për shkak të mungesës së kushteve të duhura para ndeshjes. Pamjet janë dërguar në redaksinë tonë, duke shfaqur lojtarët që përgatiten për ndeshje në kushte të papërshtatshme, ndërkohë sipas tyre, është ushtruar presion që takimi të nisë në kohë. Ndërkohë, FC Prizreni ka shpërthyer publikisht me një reagim zyrtar ndaj gjykimit në ndeshjen kundër liderit të ligës, KF Vushtrria, e cila përfundoi me rezultat 1-0 në favor të vushtrriasve në stadiumin „Përparim Thaçi“.
Reagimi i Prizrenit: “Kupa është mbushur!”
Në një komunikatë të ashpër, FC Prizreni ka akuzuar gjyqtarët Kujtim Krasniqi dhe Egzon Dervishaj për gabime të rënda që sipas tyre ndikuan drejtpërdrejt në rezultat. Klubi pretendon se iu anulua një gol i rregullt dhe iu mohua një penallti e qartë në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë, referimi lejoi vonesa të qëllimshme në lojë pas golit të Vushtrrisë.
“Ky nuk është rasti i parë,” thuhet në reagim. “Por sot kupa është mbushur. Nuk mund të heshtim më. Pyesim publikisht: Kujt po i pengon FC Prizreni?”
Klubi njoftoi gjithashtu se do të publikojë video-incizime si dëshmi të padrejtësive dhe se do të ndjekë rrugë zyrtare për të kërkuar drejtësi dhe mbrojtje të integritetit të garës.

Humbje minimale edhe për Tefik Çangën
Ndërkohë, edhe skuadra e Tefik Çangës u mposht minimalisht me rezultat 1-0 në Gjakovë nga Vëllaznimi. Megjithatë, ndryshe nga FC Prizreni, klubi nuk ka dalë me ndonjë reagim zyrtar për gjykimin apo rezultatin.