Të rinjtë e Chelseat shkëlqejnë në shkatërrimin e Ajaxit

Chelsea

Chelsea shënoi një fitore historike 5-1 ndaj Ajaxit në Ligën e Kampionëve, me tre adoleshentë që gjetën rrjetën – për herë të parë në histori në një ndeshje të këtij kompeticioni. Marc Guiu, Estêvão dhe Tyrique George ishin emrat që vulosën një mbrëmje të paharrueshme për “Blutë”.

Pas dy humbjeve në dy ndeshjet e para të fazës së ligës, Ajax e dinte se përballja në “Stamford Bridge” do të ishte një malore e vështirë. Situata u përkeqësua edhe më shumë kur Kenneth Taylor u ndëshkua me karton të kuq pas një faulli të rrezikshëm ndaj Facundo Buonanotte. Chelsea nuk humbi kohë për të shfrytëzuar epërsinë numerike: nga goditja e lirë që pasoi, topi përfundoi te Wesley Fofana, i cili asistoi me kokë për Marc Guiu – që realizoi golin e tij të parë në Champions me fanellën blu.

Pak minuta më vonë, Moisés Caicedo dyfishoi rezultatin me një goditje nga distanca, që u devijua dhe e mashtroi portierin veteran Remko Pasveer. E vetmja dritë në një pjesë të parë të errët për Ajaxin erdhi në minutën e 33-të, kur Wout Weghorst realizoi nga penalltia pas një faulli të Tosin Adarabioyos ndaj Raúl Moro. Por Weghorst i prishi vetes punë shpejt, duke shkaktuar një tjetër penallti me një ndërhyrje të pakujdesshme ndaj Enzo Fernández. Kapiteni i Chelseat realizoi me qetësi për të rikthyer epërsinë me dy gola. Në fundin e pjesës së parë, ishte radha e Estêvão të merrte përgjegjësinë nga pika e bardhë – pas një faulli që ai vetë fitoi me driblimet e tij – dhe të shënonte golin e parë në UCL.

Me ndeshjen praktikisht të mbyllur, Enzo Maresca bëri tre zëvendësime në pushim, duke futur në lojë Trevoh Chalobah, Andrey Santos dhe Tyrique George. Ky i fundit la menjëherë gjurmë, duke realizuar me një goditje të parë nga brenda zonës, pas një topi të lirë – me ndihmën e një devijimi.

Në një natë të përsosur për Chelsean, u shkrua edhe një faqe tjetër në histori: Reggie Walsh u bë lojtari më i ri që ka përfaqësuar klubin në një ndeshje të Ligës së Kampionëve. Ai dhe shokët e tij menaxhuan me qetësi pjesën e mbetur të takimit për të siguruar një fitore bindëse, që i ngjit “Blutë” në vendin e 11-të në renditje, ndërsa Ajax mbetet në fund pa asnjë pikë.