Pas humbjes së Barcelonës 2:1 ndaj Real Madridit në “Santiago Bernabéu”, mediat katalunase kanë reaguar ashpër ndaj arbitrimit të ndeshjes, duke ngritur akuza për një penallti të paakorduar në minutat shtesë të takimit.
Sipas tyre, vendimi i gjyqtarit ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar të El Clásicos.
Gazeta katalunase Mundo Deportivo e ka titulluar artikullin e saj: “Penallti e qartë e paakorduar nga Carvajal ndaj Araujo”.
Në shkrim theksohet se “në minutat e fundit, një top i dërguar në zonë nga Barcelona u kërkua nga mbrojtësi uruguaian Araujo, por lojtari i Realit, Carvajal, e shtyu, dhe as arbitri Soto Grado, as VAR-i nuk panë faull për penallti.”
De Jong reagon pas incidentit në El Clasico, ky është mesazhi i tij për Carvajal
Mundo Deportivo thekson se ky episod ka ngritur zemërimin e tifozëve dhe analistëve në Kataluni, të cilët e konsiderojnë këtë si “momentin vendimtar që i mohoi Barcelonës mundësinë për të barazuar ndeshjen”.
Sipas gazetës, mosndërhyrja e VAR-it “rikthen debatet për kriteret e dyfishta në El Clásico”.
Ndeshja përfundoi me fitoren 2:1 të Real Madridit, që forcon pozitën e “Los Blancos” në krye të tabelës së La Ligës, ndërsa Barcelona largohet me polemika dhe ndjesinë se drejtësia në fushë nuk ishte në anën e saj.
