Shkëndija kërkon fitoren e parë si vendase në Evropë – përballje me Shelbourne 

Jeton Beqiri

Ndeshja e dytë në fazën e grupeve të UEFA Europa Conference League.

Shkëndija zhvillon të enjten në Shkup nga ora 18:45 ndeshjen e parë si vendase në fazën kryesore të një gare evropiane, përballë Shelbourne FC nga Irlanda – skuadër që barazoi pa gola në ndeshjen e parë kundër Häcken të Suedisë.

Kuqezinjtë, që sonte përmbyllën përgatitjet me seancën e fundit stërvitore, kërkojnë fitoren e parë në grupe dhe një paraqitje dinjitoze para tifozëve të vet. Në konferencën për shtyp, trajneri Jeton Beqiri dhe mbrojtësi Klisman Cake u shprehën të bindur në gatishmërinë e ekipit.

Jeton Beqiri: “Paraqitja duhet të jetë serioze – synojmë dominim”
“Është shumë e rëndësishme që si ndeshja e parë para tifozëve tanë në këtë fazë të tregojmë seriozitet maksimal. Kemi pasur kohë të përgatitemi dhe besoj te skuadra. Me ndihmën e publikut shpresoj të japim një paraqitje të denjë dhe të marrim tre pikët”, tha Beqiri.

Ai shtoi se Shelbourne është një skuadër fizike, me stil të ngjashëm me futbollin anglez: “Duhet të jemi të kujdesshëm, të vrapojmë shumë dhe të shfrytëzojmë përparësinë tonë teknike për të dominuar lojën.”

Beqiri për Shelbourne: “Skuadër e organizuar, por ne kemi cilësi”
Trajneri Beqiri theksoi se e kanë analizuar mirë kundërshtarin: “Shelbourne është një ekip kompakt, me futbollistë cilësorë dhe që ndjek qartë idetë e trajnerit. Por stili ynë është ndryshe dhe besoj se me qasjen e duhur dhe përqendrim maksimal, mund të arrijmë objektivin tonë.”

Përvoja ndaj Rayo Vallecano: “Mësim për gjithë ekipin”
Duke kujtuar miqësoren me Rayo Vallecanon, Beqiri tha se përvoja ishte e jashtëzakonshme: “Na mungojnë kushtet për t’i imituar ekipet e tilla, por ajo ndeshje na tregoi nivelin që duhet të arrijmë. Ishte mësim i vlefshëm për të gjithë, veçanërisht për ritmin dhe shpejtësinë me topin.”

Klisman Cake: “Motivimi maksimal, kemi bërë histori”
“Ekipin e shoh shumë të motivuar – kemi bërë histori dhe mezi e kemi pritur këtë ndeshje para publikut tonë. Do të hyjmë për fitore, sepse ky është qëllimi ynë”, tha mbrojtësi, që së fundmi debutoi edhe me Kombëtaren.

“Janë pikërisht paraqitjet me Shkëndijën që më çuan deri aty, dhe kjo më motivon të jap edhe më shumë në vazhdim,” shtoi ai.