Një goditje me kokë nga Virgil Ghița në sekondat e fundit i dha Rumanisë një fitore të vlefshme 1-0 ndaj Austrisë në eliminatoret për Kupën e Botës, duke siguruar tre pikë jetike në një duel të ashpër dhe të tensionuar në Bukuresht. Kjo ishte vetëm fitorja e dytë për “Tricolorii”-t në tetë përballjet e fundit direkte me austriakët.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, veçanërisht për Rumaninë që kishte më shumë në lojë. Valentin Mihaila pati një rast spektakolar që në minutën e 8-të me një goditje akrobatike që për pak sa nuk përfundoi në rrjetë. Austria pati më shumë zotërim topi dhe krijoi disa raste të rrezikshme, por vendasit ishin më kërcënues, sidomos pas një aksioni të nisur nga përkushtimi i Daniel Birligeas, që përfundoi me Andrei Ratiu-n që goditi jashtë.
Ndeshja u fragmentua shpesh për shkak të faulleve dhe pasaktësive nga të dyja skuadrat. Romano Schmid regjistroi goditjen e parë për Austrinë në minutën e 37-të, pas një devijimi të mbrojtjes, por tentativa e tij shkoi larg portës së Ionuț Radu. Në fundin e pjesës së parë, një tjetër aksion i Bîrligea-s u ndal nga ndërhyrja vendimtare e David Alaba-s, me pjesën e parë që u mbyll pa asnjë goditje në kuadrat.
Pas pushimit, Sabitzer detyroi Radun të bënte një pritje vendimtare brenda katër minutash. Loja u bë më e hapur, por mbetën të pashënuar edhe disa episode të rëndësishme: Andrei Burca dhe Phillipp Mwene u ndëshkuan me kartonë të verdhë, që i përjashtojnë nga ndeshja e radhës. Mihăilă, që rrezikoi në pjesën e parë, goditi shtyllën nga distanca rreth minutës së 60-të, ndërsa Dennis Man dhe Rațiu nuk arritën të shfrytëzonin rastet e tyre, me portierin Schlager që shpëtoi Austrinë disa herë.
Të dyja skuadrat pësuan goditje: Mihai Popescu u detyrua të largohej i dëmtuar, ndërsa Alaba mori një karton që e përjashton nga ndeshja e ardhshme.
Por ishte Rumania që shënoi goditjen përfundimtare: në sekondat e fundit, Virgil Ghita u shkëput në zonë dhe devijoi me kokë një kros të Ianis Hagit, duke çuar në festë stadiumin në Bukuresht.
Kjo fitore ndryshon dukshëm ecurinë e Grupit H në eliminatoret për Kupën e Botës. Austria mbetet në krye, dy pikë para, ndërsa Rumania afrohet ndjeshëm, tashmë vetëm tre pikë prapa Bosnjë & Hercegovinës së vendit të dytë, me të dyja këto kombëtare që do të përballen me boshnjakët në ndeshjet në vijim.
Kroatët fitojnë, Fruk shënon dhe Kroacia afrohet me Kupën e Botës
Goli i parë ndërkombëtar i Toni Fruk për Kroacinë ndihmoi skuadrën e tij të siguronte një fitore të pastër 3-0 ndaj Gjibraltarit në Varazhdin, duke forcuar pozitat në krye të Grupit L të UEFA-s për kualifikueset e Kupës së Botës 2026 dhe duke e çuar vetëm një pikë larg kualifikimit zyrtar.
Siç pritej, Kroacia dominoi posedimin që në fillim, por qëndrimi ultra-defensiv i Gjibraltarit u kthye në pengesë për skuadrën e Zlatko Daliç. Në minutën e 18-të, një gabim në mbrojtje i miqve i dha një rast të artë Lovro Majer, por tentativa e tij nga 10 metra u ndal mrekullisht nga portieri Jaylan Hankins.

Megjithatë, përpjekjet kroate u shpërblyen në minutën e 30-të, kur Marco Pashaliç — që kishte goditur shtyllën më herët — dha një kros perfekt nga e djathta dhe Fruk, me një goditje me kokë nga tetë metra, e çoi topin në cepin e poshtëm të portës. Edhe pse Kroacia pati 83% të zotërimit dhe 13 goditje në pjesën e parë, ishte ky i vetmi gol i shënuar deri në pushim.
Në minutën e 55-të, Kroacia fitoi një penallti pas një faulli të qartë ndaj Fruk në zonë, por Majer nuk ishte i saktë nga pika e bardhë – tentativa e tij u ndal nga Hankins, që po kalonte një ndeshje të shkëlqyer. Portieri i Gjibraltarit ndaloi edhe një goditje të rrezikshme nga Pašalić në minutën e 74-të, duke i bërë gjërat edhe më të vështira për finalistët e Botërorit 2018.
Por Kroacia e mbylli ndeshjen në minutën e 78-të, kur zëvendësuesi Luka Sushiç goditi saktë shënoi golin e dytë. „Qershia mbi tortë“ erdhi në minutën e 96-të, kur Martin Erliç shënoi me kokë nga afërsia për të vulosur fitoren 3-0.
Me këtë fitore, Kroacia është një hap larg kualifikimit në fazën finale të Botërorit 2026 — çka do të ishte pjesëmarrja e tyre e shtatë në këtë kompeticion. Ndërkohë, Gjibraltari regjistron humbjen e tetë radhazi dhe mbetet pa pikë në 26 ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës gjatë gati një dekade.