Transferi dështon për shkak të raporteve politike: Roganoviç në kërkim të klubit të ri.
Mbrojtësi malazez Marko Roganoviq ishte në prag të një transferimi te Duboçica, një klub ambicioz nga Liga e Dytë e Serbisë, por marrëveshja u anulua në momentet e fundit – ndonëse ai kishte filluar stërvitjet me ekipin nga Leskovci, shkruan Blic.rs, përcjellë Kërlaçki.
Çfarë ndodhi? Problemi ishte klubi i tij i mëparshëm – Gjilani nga Kosova.
„Madje e kisha nënshkruar kontratën me Duboçicën, por kur erdhi momenti për regjistrim – mungonte certifikata e nevojshme“, shpjegon Roganoviq, 26 vjeç.

Pengesë u bë politika dhe raportet mes Serbisë dhe Kosovës.
„Më thanë se isha lojtari i parë që do të kalonte nga një klub i Kosovës në një klub të Serbisë. Që transferi të realizohej, Federata e Futbollit të Serbisë (FFS) duhej të kërkonte certifikatën nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) – një procedurë standarde për çdo transfer. Por, kur erdhi momenti për ta kërkuar, situata u ndërlikua, sepse Serbia nuk e njeh Kosovën dhe as institucionet e saj, përfshirë as federatën e futbollit“, thotë Roganoviq, i cili më parë ka luajtur për Buduçnost të Podgoricës, OFK Titograd, Laçi (Shqipëri) dhe UTA Arad (Rumani).
„FS e Serbisë nuk dinte si të vepronte – një opsion ishte që të regjistrohesha në një klub tjetër, në një federatë tjetër, pastaj të transferohesha te Duboçica. Por kjo nuk mund të përfundohej brenda një afati kalimtar dhe nuk donim të rrezikonim ndonjë pezullim nga FIFA“, shton ai.
FIFA e njeh FFK-në dhe teorikisht mund të ndërhyjë për ta zgjidhur rastin. Megjithatë…
„Kjo do të kërkonte një procedurë shtesë. Koha tashmë ka kaluar, jemi në tetor. Ndoshta do të pres deri në dhjetor, nëse paraqitet ndonjë klub i ri, ose ndoshta atëherë do të mund të regjistrohem te Duboçica“, thotë Roganoviq.
„Ndihesha shumë mirë në Leskovc – stadium i ri, klub ambicioz që synon të hyjë në Superligën e Serbisë. Madje edhe familjen e kisha sjellë atje, por tani jemi rikthyer dhe duhet të presim“, përfundon ai.