Maguire pushton Merseyside: United i jep fund mallkimit në Anfield

Liverpool - Manchester United 1-2

Manchester United ka regjistruar fitoren e parë në transfertë ndaj Liverpool-it që nga janari i vitit 2016, duke i dhënë fund një serie prej nëntë ndeshjesh pa fitore në “Anfield” dhe duke u afruar vetëm dy pikë nga kampionët në fuqi të Premier League.

Në letër, shanset ishin kundër ekipit të Ruben Amorim, i cili vinte nga tetë ndeshje radhazi pa fitore jashtë fushe në kampionat. Por “Djajtë e Kuq” surprizuan që në sekondat e para. Vetëm pas 62 sekondash, Bruno Fernandes nxori në krah Amad Diallo, i cili pasoi për Bryan Mbeumo dhe ky i fundit shënoi, duke realizuar golin e dytë më të hershëm në historinë e këtij rivaliteti në Premier League. Goli i polemizuar erdhi teksa Alexis Mac Allister ishte i shtrirë në fushë pas një përplasjeje me Virgil van Dijk, por gjyqtari nuk e ndali lojën.

 

Liverpool - Manchester United 1-2
Liverpool – Manchester United 1-2

Presion nga të dyja anët, por United më konkret

Liverpool nisi të reagojë dhe në minutën e 21-të Cody Gakpo goditi shtyllën pas një veprimi individual të bukur. Në anën tjetër, Fernandes shpërdoroi një rast të artë për United-in, gjithashtu duke goditur shtyllën. Mbrojtja e “The Reds” dukej e pasigurt sa herë United dilte në kundërsulm: Mamardashvili ndali një tjetër tentativë të Mbeumo-s dhe një goditje pasuese nga Mason Mount. Liverpool ishte përsëri pa fat, kur një kros i Gakpo-s devijohet dhe godet shtyllën. Ndërsa Alexander Isak u ndal nga portieri Senne Lammens me një ndërhyrje vendimtare. United shkoi në pushim në avantazh.

Gakpo ngjall Anfield, por Maguire jep goditjen përfundimtare

Me fillimin e pjesës së dytë, Liverpool rriti ndjeshëm ritmin dhe përsëri Gakpo goditi shtyllën pas një asisti të Salah. Pas disa zëvendësimeve nga të dy trajnerët rreth minutës së 60-të, loja u kthye në një betejë të hapur me ritëm të lartë. Presioni i Liverpool-it u shpërblye kur, pas një tentimi të humbur nga Salah, një pasim i Chiesa-s u finalizua nga Gakpo për barazimin.

Entuziazmi i “Anfield”-it u shua në minutën e 84-t, kur Fernandes harkoi bukur në zonë dhe Harry Maguire goditi saktë me kokë për të rikthyer epërsinë e United. Liverpool hodhi gjithçka në sulm në minutat e fundit, por mbrojtja e United rezistoi në mënyrë perfekte.

Kjo ishte fitorja e dytë radhazi për United në Premier League – hera e parë që ndodh nën drejtimin e Ruben Amorim – ndërsa Liverpool regjistroi humbjen e katërt radhazi në të gjitha kompeticionet dhe të tretën rresht në kampionat.

Standings provided by Sofascore