Arsim Thaqi tani ka arritur në 6 fitore rresht dhe 7 ndeshje pa humbje. Së fundmi, Prishtina me 9 fitore rresht ishte në edicionin e titullit të fundit 2020/21, ndërsa atë rrugëtim skuadra e Ramadanit e kishte nga java e 27-të deri në të 35-ën.

Llapi - Prishtina
Llapi – Prishtina

Nga pesë udhëtimet e këtij edicioni, Prishtina ka fituar 4 ndeshje dhe është mposhtur vetëm nga Gjilani (fitorja e vetme e tyre si vendas).

Prishtina, me 25 pikë, ka arritur 8 fitore, 1 barazim brenda me Dritën dhe një humbje me Gjilanin, duke pasur goldallim +15 (1 më pak se Ballkani pas fitores së sotme me Malishevën). Ndërsa ka sulmin më të mirë me 26 gola të shënuar, kurse ka mbrojtjen e dytë më të mirë, me 11 gola të pësuar (Ballkani ka pranuar 7).

Në anën tjetër, pas startit katastrofal të ekipit të Batatinës, llapjanët ia dolën të këndellen dhe tani kanë arritur në 13 pikë, me 4 ndeshje rresht pa humbje, prej tyre tre fitore, edhe pse çuditërisht kanë goldallim -1, 15:16. Llapi në shtëpi është i pamposhtur, ka fituar dy ndeshje me Gjilanin dhe Drenicën, ndërsa kanë barazuar me Ballkanin, Dritën dhe Ferizajn.

Sa i përket përballjeve, Prishtina ka fituar duelin e parë nga katër përballjet që do t’i kenë, me rezultat 3-0.

Llapi nuk e ka mposhtur Prishtinën në 6 ndeshjet e fundit. Fitorja e fundit ishte në „Fadil Vokrri“ në vitin 2024, me rezultat 2-0. Por, Llapi ka statistikë thuajse katastrofale me Prishtinën si vendas në „Zahir Pajaziti“, nuk ka fituar që nga viti 2021, 2-0. Që nga ajo kohë ka vetëm dy fitore, të arritura në “Fadil Vokrri”. Ndërsa Prishtina ka fituar 7 ndeshje, prej tyre dy në „Zahir Pajaziti“, megjithëse nuk fiton aty që nga shkurti i vitit 2023, 2-0. Prej atëherë janë arritur 4 barazime rresht në Podujevë, dy herë nga 1-1 dhe dy herë pa gola.

Se a do të mbetet Llapi i pamposhtur ende në këtë edicion në fushën e saj, se a mundet t’ia ndalë serinë Prishtinës, apo bardhekaltrit do të vazhdojnë me fitoren e shtatë rresht, apo ndeshjen e tetë pa humbje, mbetet të shihet në „Zahir Pajaziti“ nga ora 13:00.

Limani para sfidës me Llapin: Shkojmë me besim të plotë për tri pikët

Mbrojtësi i Prishtinës, Ardian Limani, është shprehur optimist para ndeshjes së nesërme ndaj Llapit, duke theksuar se bardhekaltrit synojnë vetëm fitoren, pavarësisht forcës së kundërshtarit.

“Prishtina në çdo ndeshje hyn për fitore. Por jemi të vetëdijshëm që kemi të bëjmë me një kundërshtar shumë të fortë, sidomos në fushën e tyre. Pa dyshim, ndeshje derbi, por ne shkojmë me besim të plotë për tri pikët, sepse vetë ecuria e skuadrës sonë nuk na lejon të mendojmë diçka tjetër”, ka deklaruar Limani.

Llapi mobilizohet për derbin rajonal ndaj Prishtinës, hyrja gratis për tifozët!