Kosova pret Slloveninë të premten – Sadriu dhe Hajrizi me mesazhe optimiste para sfidës

Kreshnik Hajrizi - Leard Sadriu

Pas fitores emocionuese ndaj Suedisë, atmosfera brenda Kombëtares së Kosovës është pozitive dhe plot besim. Të premten, “Dardanët” do të përballen me Slloveninë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ciklit aktual miqësor ndërkombëtar, ndërsa përgatitjet po zhvillohen me intensitet të plotë.

Në stërvitjen e mbajtur sot në „Fadil Vokrri“, për mediat kanë folur dy futbollistë të përfaqësueses: Leart Sadriu dhe Kreshnik Hajrizi, të cilët kanë ndarë ndjesitë e tyre për ftesën, përgatitjet dhe pritshmëritë për ndeshjen e radhës.

Sadriu: „Ftesa nga Kombëtarja është ndjenja më e mirë që mund të përjetojë një futbollist“

Leart Sadriu, 24-vjeçari i lindur në Ferizaj, që aktivizohet në kampionatin rumun me FC Argeș, është rikthyer te Kombëtarja pas një periudhe të gjatë mungese. Ai kishte debutuar në vitin 2022 në një miqësore ndaj Armenisë dhe më parë kishte kaluar nëpër të gjitha grupmoshat e Kosovës nga U16 deri te U21. Sadriu është një mbrojtës i vlefshëm që mbulon më shumë se një pozicion.

“Ftesa nga Kombëtarja është ndjenja më e mirë që mund të përjetojë një futbollist. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e ekipit. Ambientimi ka qenë shumë i lehtë, sepse kemi një grup të mirë, cilësor dhe me energji pozitive. Fitorja ndaj Suedisë tregoi që mund të përballemi denjësisht me kombëtare të forta. Sllovenia është skuadër e mirë, por edhe ne kemi cilësi dhe besojmë në një rezultat pozitiv. Shpresoj që ‘Dardanët’ të na përkrahin në numër sa më të madh – prezenca e tyre në stadium është gjithmonë një shtysë e madhe për ne”, deklaroi Sadriu.

Hajrizi: „Pa përkrahje nuk jemi gjë – të gjithë bashkë për tre pikë“

Ndërsa Kreshnik Hajrizi, 26-vjeçari i lindur në Zvicër dhe aktualisht pjesë e FC Sion në Superligën zvicerane, rikthehet me përvojë pas një qëndrimi në kampionatin polak me Widzew Łódź. Qendërmbrojtësi ka katër paraqitje me ekipin A të Kosovës dhe është i gatshëm për një tjetër sfidë.

“Përfshirja me Kombëtaren është gjithmonë një ndjenjë krenarie. Atmosfera në ekip është shumë pozitive, përgatitjet po ecin mirë dhe të gjithë jemi të fokusuar për ndeshjen ndaj Sllovenisë. Pas fitores me Suedinë, kemi treguar edhe reagim të mirë pas ndeshjes me Zvicrën. Për të premten duhet të ruajmë të njëjtin mentalitet dhe të shkojmë në fushë me bindjen për të marrë tre pikët. Pa përkrahjen e tifozëve nuk jemi gjë – ndaj kërkoj që të na mbështesin edhe këtë herë me gjithë zemër,” tha Hajrizi.