Kosova pëson humbje të rëndë të pritur nga Franca në ndeshjen hapëse të kualifikimeve për Euro 2026

Hendball: France - Kosova

Kombëtarja e Kosovës në hendboll për femra e nisi me humbje fushatën kualifikuese për Kampionatin Evropian “Euro 2026”. Në ndeshjen e parë të zhvilluar të mërkurën mbrëma në qytetin francez Nimes, përballë një publiku prej 2200 spektatorësh, Kosova u përball me një kundërshtar të nivelit shumë më të lartë – kampionen e botës, Francën.

Rezultati përfundimtar ishte 43:12 në të mirë të skuadrës vendase. Kosova, ndonëse tregoi angazhim dhe vullnet në parket, nuk arriti të rivalizojë me përfaqësuesen franceze, që dominoi ndeshjen në të gjitha aspektet.

Kjo ndeshje shënoi gjithashtu një fazë tranzicioni për ekipin kosovar, me shumë lojtare të reja që patën rastin të debutojnë dhe të fitojnë përvojë ndërkombëtare. Selektori Agron Shabani aktivizoi të gjitha hendbollistet e grumbulluara për këtë takim.

Kosova u paraqit pa disa prej lojtareve kryesore, përfshirë Leonora Demajn, Mirela Gjikokajn, Dafina Mustafën, Albina Rugovën dhe Fitore Aliun, si dhe disa mungesa të tjera që ndikuar në thellësinë e skuadrës.

Në anën tjetër, performanca e lartë e portiereve franceze, me 25 pritje të regjistruara, ishte ndër faktorët që ndikuan ndjeshëm në rezultatin final.

Në aspektin individual, Merlinda Qorraj ishte më efikasja për Kosovën me gjashtë gola të shënuar. Arona Krasniqi kontribuoi me dy gola, ndërsa Mirjeta Bytyqi, Xhesika Mehmetaj, Elisa Mulaj dhe Tina Hetemi shënuan nga një gol secila.

Ndeshja e radhës për Kosovën zhvillohet këtë të diel më 15 tetor, ora 17:15, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ku përballë do të jetë përfaqësuesja e Kroacisë. Ky do të jetë një tjetër test i vështirë për përfaqësuesen tonë në një cikël sfidues të kualifikimeve.