Kombëtarja e Kosovës ka shënuar përparim të madh në renditjen zyrtare të FIFA-s për muajin tetor, duke u pozicionuar në vendin e 84-të – që njëherësh përbën renditjen më të lartë të saj ndonjëherë nga dalja në garat ndërkombëtare.
Ngjitja me 7 pozita vjen pas rezultateve pozitive në ndeshjet e muajit tetor, përkatësisht fitores 1:0 ndaj Suedisë në Goteborg dhe barazimit pa gola ndaj Sllovenisë në Prishtinë.
Aktualisht, Kosova ka grumbulluar 1284.73 pikë, me një rritje prej 22.63 pikësh krahasuar me muajin e kaluar.
Kjo renditje vjen në prag të ndeshjeve vendimtare të muajit nëntor, ku Kosova do të përballet me Slloveninë dhe Zvicrën, sfida që mund të kenë ndikim të rëndësishëm në rrugëtimin drejt kualifikimit për Kampionatin Botëror.
