KB Prishtina rikthehet në arenën ndërkombëtare, duke nisur garën në edicionin e dytë të saj në Ligën Veriore Evropiane të Basketbollit (ENBL) – një kompeticion që ka marrë jetë në vitin 2021 dhe po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në kontinentin e vjetër.
Prishtina debutoi në këtë ligë në sezonin 2022/23 dhe këtë vit, bashkë me të, Kosovën do ta përfaqësojë edhe KB Peja. Kjo shënon një prani të dyfishtë të basketbollit kosovar në garat ndërkombëtare, duke dëshmuar për ambiciet dhe zhvillimin e këtij sporti në vend.
Ndeshja e parë: Prishtina – Gimle Basket
Bardhekaltrit e Prishtinës e nisin edicionin sot (1 tetor), në orën 19:00, në Palestrën e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet, ku do të presin skuadrën norvegjeze Gimle Basket nga Bergeni. Sipas kompanive të basteve, Prishtina hyn si favorit absolut në këtë përballje, me kuotë 1.10 për fitoren e saj, krahasuar me 4.50 për ekipin nga Norvegjia.
Pas kësaj sfide, Prishtina do të udhëtojë në Belgjikë më 8 tetor, ku në Bruksel do të përballet me Brussels Basketball, në një tjetër duel të rëndësishëm në kuadër të ENBL-së.
Rikthimi i Superligës: Duele të nxehta në javën e parë
Paralelisht me garat evropiane, këtë fundjavë nis edhe edicioni i ri i ProCredit Superligës së Kosovës në basketboll. Të shtunën, më 4 tetor, Prishtina do të udhëtojë drejt Suharekës për t’u përballur me Golden Eagle Yllin, në një sfidë gjithmonë të vështirë në parketin e “verdhëzinjve”.