Jordi Alba shpall tërheqjen nga futbolli

Jordi Alba

Mbrojtësi i njohur spanjoll Jordi Alba ka njoftuar se do të tërhiqet nga futbolli në fund të këtij sezoni. Lajmin e ka konfirmuar vetë futbollisti përmes një postimi në rrjetet sociale, ndërsa lajmi është raportuar nga agjencia gjermane e lajmeve DPA, përcjellë Kërlaçki.

„Ka ardhur momenti të mbyll një kapitull vërtet të rëndësishëm të jetës sime. Kam vendosur të përfundoj karrierën time si futbollist profesionist pas këtij sezoni“, shkroi Alba.

Aktualisht 36-vjeç, Alba është pjesë e skuadrës amerikane Inter Miami, ku luan përkrah ish-bashkëlojtarëve të tij te Barcelona, Lionel Messi dhe Sergio Busquets. Ai iu bashkua ekipit nga Florida në vitin 2023, pas një dekade të suksesshme me Barcelonën.

Në SHBA, sezoni i rregullt në Major League Soccer (MLS) është drejt fundit, ndërsa faza play-off do të zgjasë deri në dhjetor. Kjo do të jetë edhe koha kur Alba do t’i japë fund përfundimisht karrierës së tij në futbollin profesionist.

„Kam ecur në këtë rrugëtim me pasion të madh. Tani është koha për të mbyllur këtë kapitull dhe për t’iu përkushtuar sfidave të reja. Por futbolli ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë një pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime“, shtoi Alba.

Gjatë karrierës së tij ndërkombëtare, Alba ka grumbulluar 93 paraqitje me përfaqësuesen e Spanjës në periudhën 2011–2023, duke qenë pjesë e skuadrës që fitoi Kampionatin Evropian në vitin 2012.

Me Barcelonën, ai ka luajtur mbi 300 ndeshje ndërmjet viteve 2013 dhe 2023, duke fituar gjashtë herë titullin kampion të Spanjës, katër Kupa të Mbretit dhe Ligën e Kampionëve në vitin 2015.