Xhudisti kosovar Jon Kuka ka shkëlqyer në Kupën Evropiane për Kadet që po zhvillohet në Kranjska Gora të Sllovenisë, duke fituar medaljen e bronztë në kategorinë deri në 55 kilogramë.
Joni nisi mbarë garën duke mposhtur me Ippon gjermanin Mortiz Schubert në xhiron e parë, ndërsa në xhiron e dytë triumfoi ndaj austriakut Djamil Kurbanov me dy yuko. Në ndeshjen e tretë, ai u ndal nga holandezi Celil Uyar, duke humbur me Wazari.
Pas kësaj humbjeje, Joni u rikthye fuqishëm në garën përmes repesazhit. Në luftën e parë ai mposhti me Ippon izraelitin Yuval Fuchus, ndërsa në luftën e dytë kaloi francezin Yanis Semadi me tri shido për Ippon.
Në duelin vendimtar për medaljen e bronztë, Jon Kuka u përball me Lazar Bogdanoviç nga Serbia, të cilin e mposhti me dy yuko, duke siguruar kështu vendin e tretë në podiumin evropian.
Kosova po përfaqësohet në këtë garë nga tre garues: Jon Kuka (-55 kg), Roni Reshitaj (-66 kg) dhe Milot Gashi (-66 kg), nën udhëheqjen e trajneres së njohur Majlinda Kelmendi. Në kampionat po marrin pjesë 432 garues nga 21 shtete të katër kontinenteve.
Kjo medalje konfirmon edhe një herë talentin dhe punën e palodhur të xhudistëve të rinj kosovarë në arenën ndërkombëtare.