Jesper Ostlund i entuziazmuar në debutimin me Kosovën: Dy ndeshje sfiduese për mua dhe për ekipin

Jesper Ostlund

Selektori i ri i Kombëtares së Kosovës në hendboll, suedezi Jesper Ostlund, ka shfaqur entuziazëm për nisjen e aventurës së tij në krye të përfaqësueses. Ostlund, që u emërua më 2 shtator, ka shpallur të martën listën e tij të parë me 18 hendbollistë të ftuar për dy ndeshjet ndaj Britanisë së Madhe, në kuadër të fazës së parë kualifikuese për Kampionatin Botëror 2027.

Në një intervistë për faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), Ostlund u shpreh:

“Do ta fillojmë javën e ndeshjeve ndërkombëtare me shumë energji dhe na duhet që t’i vendosim gjërat në vend shumë shpejt. Do të jetë një përbërje e re, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje, që kërkon shumë nga lojtarët, nga unë dhe nga Jasmin Zhuta.”

Ostlund theksoi rëndësinë e debutuesve në skuadër, veçanërisht dy pivotëve të rinj:

“Kemi dy debutues në lojtarët e vijës – Muhamet Durmishi dhe Ardit Tafilaj. Ata janë paraqitur mirë me klubet e tyre dhe do të futen direkt në zjarr. Gjithashtu, Gzim Salihi, ndonëse debutues, ka përvojë dhe e njoh mirë nga liga suedeze.”

Kosova do të ketë disa mungesa të rëndësishme për ndeshjet ndaj Britanisë së Madhe, përfshirë kapitenin Valon Dedaj, Kastriot Jupën, Luigj Qunin dhe Kushtrim Ninajn. Bujar Ramosaj do të mungojë në ndeshjen e parë, ndërsa për Egzon Gjukën dhe Gzim Salihin pritet vlerësimi i fundit pas lëndimeve të lehta që kanë pësuar.

“Mungesat sigurisht ndikojnë në forcën e skuadrës, por për mua është e rëndësishme që lojtarët e tjerë të marrin më shumë përgjegjësi – brenda dhe jashtë fushës,” ka theksuar Ostlund.

Selektori suedez shpreson në një nisje të mbarë dhe e sheh këtë si një mundësi për të ndërtuar identitetin e ekipit:

“Janë dy ndeshje të para interesante për mua dhe për ekipin. Do t’i takoj për herë të parë lojtarët dhe do të punojmë shumë për të arritur synimin tonë – avancimin në raundin tjetër. Kemi pak stërvitje para ndeshjes së parë, ndaj duhet të jemi të saktë në vendime dhe në implementimin e lojës që do të zhvillojmë. Britania e Madhe është ekip me lojtarë cilësorë, kështu që do të jetë sfidë për ne,” përfundoi Ostlund.