Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, ka propozuar një ndryshim rrënjësor në futbollin evropian. Sipas tij, te kombëtaret lojtarët që ftohen duhet të jenë nën 23 vjeç.
De Laurentis gjithashtu ka folur për kompensimet për lojtarët e huazuar te përfaqësueset, të cilat sipas tij janë të pamjaftueshme.
“Europa duhet të ndryshojë. Ka ardhur koha. Krerët e futbollit shpesh nuk duan të bëjnë ndryshime nga frika e humbjes së pozicioneve të tyre, por tani duhet të rishikohen rregullat dhe format e kampionateve. Luhet shumë. Futbollistët nuk mund të përballojnë më 50, 60 apo 70 ndeshje në vit.”
Ai thekson se nuk është kuptuar që te kombëtaret duhet të vendoset një “tavan” moshe. Pas 23 vjetësh, lojtarët nuk duhet të thirren më në përfaqësuese, në mënyrë që të hapet vend për të rinjtë.
“Nëse vazhdojmë të aktivizojmë lojtarë 30, 35 apo 37 vjeç dhe ata dëmtohen, po i shkaktojmë dëm kampionateve vendase. Nuk ka respekt për kampionatet dhe nuk ka kompensim të drejtë për huazimin e një lojtari që paguhet 12 muaj në vit. Aktualisht na japin vetëm një ‘chip’, ne do të donim një ‘chip’, një ‘chop’ dhe një ‘chap’.”