Erling Haaland vazhdon formën e jashtëzakonshme, duke shënuar dy gola në fitoren 2-0 të Manchester City ndaj Evertonit, ndërsa Sunderland shënoi fitore të pastër 2-0 ndaj Wolves, duke i thelluar këta të fundit në fundin e tabelës.
Në “Etihad”, ishte sërish Haaland që mori skenën. Norvegjezi shënoi të dy golat e ndeshjes, duke e çuar numrin e golave të tij në 23 në vetëm 13 ndeshje këtë sezon, mes klubit dhe kombëtares. Fillimisht, ai realizoi me kokë pas një krosimi nga Nico O’Reilly (58’), dhe pesë minuta më vonë, përfitoi nga një asist i Savinhos për të dërguar topin në rrjetë me një goditje të ulët dhe të fuqishme.
City dominoi në pjesën e dytë dhe, nëse jo për pritjet vendimtare të Jordan Pickford, Haaland do të kishte regjistruar edhe një tjetër “hat-trick”. Me këtë fitore, City shkon përkohësisht në krye të tabelës, duke e çuar në 18 ndeshje serinë e pamposhtur kundër Evertonit. Për “Toffees”, humbja shënon herën e parë që pësojnë më shumë se një gol në një ndeshje jashtë fushe në Premier League që prej dhjetorit.
Ndërkohë, në “Stadium of Light”, Sunderland vazhdon formën e mirë në shtëpi, me një fitore të merituar ndaj Wolves. Nordi Mukiele realizoi golin e parë për skuadrën vendase në minutën e 16-të pas një kombinimi të bukur me Trai Hume. “Black Cats” ruajtën kontrollin e ndeshjes gjatë gjithë pjesës së parë, duke krijuar disa raste të rrezikshme, përfshirë një goditje me kokë të Hume që kaloi ngjitur me shtyllën.
Wolves reagoi disi në pjesën e dytë, por pa efikasitet në sulm. Në minutat e fundit, një devijim i pafat nga Ladislav Krejci e përfundoi topin në rrjetën e tij dhe vulosi humbjen e tyre të radhës. Kjo ishte fitorja e katërt në shtëpi për Sunderland në katër ndeshje – një arritje që nuk e kishin regjistruar që prej sezonit 1968/69 në elitën e futbollit anglez.