Franco Foda publikon listën e Kombëtares së Kosovës – rikthehen yjet e sulmit, por mungon kapiteni

Franco Foda

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka bërë publike listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Botëror 2026, që zhvillohen në muajin tetor kundër Sllovenisë dhe Suedisë.

Në listën e publikuar këtë herë janë ftuar 27 futbollistë, ndërsa në listën rezervë figurojnë edhe nëntë emra të tjerë. Një emër i ri që iu bashkua Dardanëve është Albian Hajdari, ndërsa janë kthyer Edon Zhegrova, Ron Raçi dhe Leard Sadriu.

Pjesë e listës janë edhe ‘veteranët’ e kombëtares, si Vedat Muriqi, Valon Berisha, Milot Rashica, Fidan Aliti dhe Mërgim Vojvoda, ndërsa kapiteni Amir Rrahmani mungon për këtë grumbullim.

Ami Rrahmani
#post_seo_title

Në listën rezervë gjenden emra si Faton Maloku, Kreshnik Krasniqi, Behar Neziri, Ismet Lushaku, Bledian Krasniqi, Andi Hoti, Rilind Nivokazi, Bersant Celina dhe Donat Rudhani.

Dardanët do të nisin grumbullimin të hënën, më 6 tetor, me stërvitjen e parë në orën 17:00 në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Para se të nisë stërvitja, në orën 12:00, Foda do të mbajë konferencën e zakonshme për media.

Kosova do të përballet fillimisht me Slloveninë më 10 tetor, në orën 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Tre ditë më vonë, më 13 tetor, Dardanët luajnë në Goteborg kundër Suedisë, po ashtu në orën 20:45.

Pas dy ndeshjeve të para të këtij cikli kualifikues, Kosova renditet e dyta në Grupin B me 3 pikë, pas Zvicrës që kryeson me 6 pikë, ndërsa Suedia dhe Sllovenia kanë nga një pikë secila.