Pas barazimit pa gola ndaj Sllovenisë në “Fadil Vokrri”, përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, u shpreh i kënaqur me angazhimin e ekipit dhe vlerësoi rezultatin si një hap pozitiv drejt objektivave të kombëtares.
“Sllovenia luajti ndryshe sot. Është një ekip shumë i mirë dhe mund të të shënojë në çdo moment. Ishte një ndeshje e vështirë për të dy skuadrat”, tha Foda pas ndeshjes.
Trajneri gjerman theksoi se rezultati ishte një fitim i vogël për Kosovën:
“Unë mendoj se jemi një pikë plus. Ishte ndeshje e vështirë, por e vlefshme për ecurinë tonë.”
Ai foli edhe për vështirësitë taktike që hasën përballë një kundërshtari me shumë lëvizje:
“Sllovenia është shumë fleksibile në mesfushë dhe ka lojtarë të rrezikshëm si Sheshko. Linja jonë e fundit u mbrojt mirë ndaj tij. Ishte e vështirë ta mbajmë topin, ndaj tentuam t’i godisnim me kundërsulme.”
I pyetur për mosaktivizimin e Edon Zhegrovës që nga minuta e parë, Foda sqaroi:
“Zhegrova është një lojtar klasi, por ka qenë i lënduar prej janarit dhe pak i lodhur nga stërvitjet e fundit. Ndoshta mund të ishte futur më herët, por vendosëm të jemi të kujdesshëm. Ai së fundmi nuk ka luajtur më shumë se 25 minuta për ndeshje, ndaj jemi të kujdesshëm me rikthimin e tij. Shpresojmë që së shpejti ta kemi përsëri në formën më të mirë.”
Kosova ruan ende shpresat për kualifikim, ndërsa sfida e radhës e pret të hënën ndaj Suedisë në udhëtim.