Java e gjashtë në Superligën e Kosovës në hendboll solli emocione të shumta si në konkurrencën e meshkujve, ashtu edhe në atë të femrave. Trepça dhe Besa Famgasi siguruan fitore bindëse, ndërsa te femrat, Samadrexha triumfoi në derbin e javës ndaj Shqiponjës, me Istogun që mbetet i pandalshëm.
Meshkuj: Trepça bind ndaj Vushtrrisë, Besa Famgasi shkatërron Llapin
Në xhiron e gjashtë të Superligës së meshkujve, Trepça triumfoi ndaj Vushtrrisë me rezultat 38:29 në palestrën “Minatori”. Ndeshja ishte e barabartë deri në minutat e fundit, kur “xehetarët” u shkëputën bindshëm. Sali Maxhera ishte më i miri me 11 gola, ndërsa Amar Mujka dhe Eris Beqiri shtuan nga gjashtë të tjerë.
Te Vushtrria, Egzon Ademi realizoi 11 gola, por kjo nuk mjaftoi për të shmangur humbjen e pestë të sezonit.
Në ndeshjen tjetër, Besa Famgasi nuk la vend për dilema, duke e mposhtur Llapin me rezultat të thellë 43:21. Edonis Hajra shënoi 10 gola për pejanët, ndërsa Blerton Hasani ishte më efikasi për llapjanët me tetë gola.
Derbi i javës mes Kastriotit dhe Rahovecit zhvillohet të shtunën.

Femra: Samadrexha fiton derbin ndaj Shqiponjës, Istogu dominon në Lipjan
Në Superligën e femrave, Samadrexha dhe Shqiponja zhvilluan një përballje të fortë në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, që përfundoi me fitoren minimale të mysafireve, 27:26. Samadrexhaset ishin në epërsi për pjesën më të madhe të takimit, ndërsa Jennifer Toledo Abreu udhëhoqi ekipin me nëntë gola. Tina Hetemi dhe Arona Krasniqi shtuan nga gjashtë dhe pesë gola për fitueset.
Ana Carolina Gonçalves dhe Nathalia Silva Fontana ishin më të dalluarat për Shqiponjën, me nga gjashtë gola secila. Të dy ekipet kanë nga gjashtë pikë, por Shqiponja ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.
Ndërkohë, Prishtina e regjistroi fitoren e parë sezonale duke e mposhtur Kastriotin në Ferizaj me rezultat 41:27.
Kampioni në fuqi, Istogu, konfirmoi dominimin duke fituar lehtësisht në udhëtim ndaj Ulpianës me rezultat 49:29.