FIBA Europe Cup: Trepça dhe Bashkimi synojnë fitoret e para!

Trepça-Bashkimi

Këtë të mërkurë, Trepça dhe Bashkimi rikthehen në FIBA Europe Cup. Kampionia e Kosovës, Trepça, luan në “Minatori” kundër Anwil-it polak në Grupin F nga ora 18:30, ndërsa Bashkimi pret në “Sezai Surroi” skuadrën franceze Dijon në Grupin J nga ora 19:00. Të dyja skuadrat kërkojnë fitoren e parë në këtë sezon.

Anwil dhe Trepça kanë humbur të dyja ndeshjet e para. Anwili pësoi me një pikë nga PAOK-u në Poloni dhe nga Braunschweig-u në Gjermani, ndërsa Trepça humbi në Greqi nga PAOK-u dhe sërish në “Minatori” nga Braunschweig-u.

Bashkimi ka dy humbje në Europë, por tre fitore rresht në Superligë. Dijon ka humbur po ashtu dy ndeshje.

Fitoret e së mërkurës janë vendimtare për të dy klubet. Në raundin e dytë avancojnë fituesit e dhjetë grupeve dhe gjashtë skuadrat më të mira mes humbësve.

Një fitore ndaj Anwilit mund të rigjallërojë tifozët e Trepçës, ndërsa Bashkimi shpreson të shfrytëzojë ecurinë e mirë në kampionat për të mbushur palestrën “Sezai Surroi”.

Trepça vjen në këtë ndeshje pas dy humbjeve edhe në Superligë, duke përfshirë atë nga Bashkimi.

Bashkimi, nga ana tjetër, shpreson që performanca e mirë në kampionat të ndihmojë në përballjen me skuadrën franceze, duke synuar avancimin në fazën tjetër të FIBA Europe Cup.