Federata e Futbollit e Kosovës ka ndërmarrë një iniciativë të rëndësishme në drejtim të përmirësimit të sigurisë në futboll, duke pajisur të gjitha klubet e Superligës, Ligës së Parë, Ligës së Dytë si dhe ato të futbollit të femrave me defibrilatorë modernë. Projekti u realizua me mbështetjen e programit UEFA HatTrick dhe synon rritjen e gatishmërisë në rastet e emergjencave shëndetësore gjatë aktiviteteve sportive.

Rastet e shumta të ndodhura në dekadën e fundit, ku futbollistët janë përballur me probleme të rënda shëndetësore në fushë, kanë theksuar nevojën për pajisje të tilla jetike. Defibrilatorët e shpërndarë janë të teknologjisë më të avancuar dhe mund të bëjnë diferencën mes jetës dhe vdekjes në rastet e arrestit kardiak.
Krahas pajisjeve, FFK ka organizuar edhe trajnime të specializuara për përdorimin e tyre, në bashkëpunim me stafin mjekësor të Kombëtares A të Kosovës. Ekspertët kanë ndarë përvojat e tyre nga trajnimet e UEFA-s, duke ndihmuar personelin e klubeve të fitojë aftësitë e nevojshme për të vepruar në mënyrë të shpejtë dhe efikase në situata kritike.
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, e cilësoi këtë projekt si një investim në jetë dhe siguri, duke theksuar se Federata është e vendosur të ndjekë standardet më të larta të kujdesit shëndetësor në sport.
“Në kohën kur sporti kërkon gjithnjë e më shumë kujdes për mirëqenien fizike dhe psikologjike të sportistëve, ky projekt konfirmon përkushtimin tonë për ta vendosur sigurinë e lojtarëve në qendër të vëmendjes”, deklaroi Ademi.
Ndërkohë, mjeku i Kombëtares, Dr. Amir Vejseli, theksoi rëndësinë e prezencës së defibrilatorëve në çdo ndeshje e stërvitje. “Defibrilatori është një pajisje thelbësore për ndërhyrje të menjëhershme në rastet e sulmeve kardiake. Organizimi mjekësor është po aq i rëndësishëm sa organizimi teknik i një ndeshjeje”, tha ai.
FFK është zotuar të vazhdojë trajnimet dhe bashkëpunimin me klubet për të garantuar se çdo ekip ka personel të trajnuar për të përballuar urgjencat shëndetësore, duke ngritur kështu nivelin e profesionalizmit dhe sigurisë në futbollin kosovar.
