Egnatia ka arritur një fitore me shumë vlerë përballë Teutës, duke marrë tri pikë të rëndësishme në Rrogozhinë dhe duke i shkaktuar durrsakëve humbjen e parë në këtë edicion të Superiores.
Në një ndeshje me pak raste të pastra për shënim, diferencën e bëri një moment individual i brazilianit Albaneze në minutën e 43-të. Pas një gabimi në daljen nga mbrojtja, ai përfitoi nga pasimi i Selmanit dhe mposhti portierin me një gjuajtje të saktë nga e majta.
Teuta u përpoq të reagojë në pjesën e dytë, duke ushtruar presion në gjysmëfushën e Egnatias, por pa gjetur rrugën drejt rrjetës. Portieri Dajsinani dhe mbrojtja vendase u treguan të kujdesshëm, duke neutralizuar tentativat e vazhdueshme të miqve.
Në fund, rezultati 1-0 mbeti i pandryshuar, duke i dhënë Egnatias një fitore të rëndësishme dhe historike ndaj Teutës në fushën e vet. Kjo ishte hera e parë që skuadra rrogozhinase fitonte ndaj durrsakëve në Superiore në shtëpi.