Dren Zeqiri në radarët e Shqipërisë U21 – Alban Bushi ndjek nga afër mesfushorin e Prishtinës

Mesfushori i talentuar i FC Prishtina, Dren Zeqiri, ka rënë në radarët e përzgjedhësit të Shqipërisë U21, Alban Bushi. Sipas burimeve të sigurta të “Kërlaçki”, Bushi po e ndjek prej kohësh me interes paraqitjet e futbollistit 21-vjeçar, i cili këtë edicion është transferuar nga Ramiz Sadiku te Prishtina.

Zeqiri ka qenë një nga pikat më të ndritshme të skuadrës bardhekaltër në këtë fillim sezoni, duke realizuar 2 gola dhe dhënë 1 asistim në 7 paraqitje në Superligë.

Bëhet e ditur se Bushi ka qenë i pranishëm në ndeshjen Prishtina – Dukagjini dhe tashmë ka zhvilluar edhe një takim me Zeqirin. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse mesfushori ka vendosur të pranojë ftesën dhe të përfaqësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Zhvillimet rreth vendimit të Zeqirit pritet të jenë të rëndësishme për të ardhmen e tij ndërkombëtare, pasi ai mbetet njëri ndër emrat më premtues të brezit të ri në futbollin kosovar.