Dejan Vukiçeviç në krizë me Buduçnostin – ish-trajneri i Feronikelit dhe Laçit s’po gjen fitoren as në Mal të Zi

Dejan Vukiçeviç

Buduçnosti, kampioni aktual i Malit të Zi dhe klubi më i mëdh në futbollin malazez, po kalon një sezon të vështirë dhe të pazakontë – me më shumë trajnerë sesa fitore.

Në vetëm 14 ndeshje zyrtare që nga fillimi i përgatitjeve verore, skuadra ka regjistruar vetëm tri fitore, ndërsa në bankën e saj kanë ndërruar vend katër trajnerë: Ivan Brnoviç, Nenad Lalatoviç, Ivan Deliç dhe tani Dejan Vukiçeviç – një emër i njohur për tifozët e futbollit kosovar dhe shqiptar.

Emër i njohur për rajonin: Vukiçeviç ka drejtuar edhe Feronikelin dhe Laçin

Dejan Vukiçeviç, ish-futbollist dhe tash trajner me përvojë, ka qenë në krye të Feronikelit në vitin 2019, në një periudhë kur skuadra nga Drenasi kërkonte sukses në garat evropiane. Ai më pas u rikthye në futbollin shqiptar për të drejtuar Laçin në dy raste, më 2021 dhe 2022.

Në Podgoricë, vetëm stabilitet minimal

Te Buduçnosti, Vukiçeviç ka arritur të sjellë njëfarë stabiliteti – skuadra nuk ka humbur në katër ndeshjet e fundit, por ka arritur vetëm një fitore, ndaj Bokeljit të fundit në tabelë. Tri ndeshje të tjera kanë përfunduar në barazim, përfshirë edhe atë ndaj Jezeros, ku u shpëtua vetëm në minutën e 82-të.

Pas ndeshjes, Vukiçeviç foli hapur për problemet e ekipit:
„Na mungon agresiviteti, intensiteti, presingu, posedimi i sigurt, shpejtësia në lojë dhe vendimmarrja. Sidomos në pjesën e fundit të fushës nuk po gjejmë zgjidhje cilësore“, tha ai për faqen zyrtare të klubit.

Larg formës së titullit – por jo edhe kreut

Pavarësisht këtij fillimi të dobët, Buduçnosti nuk është jashtë loje për titullin. Sutjeska dhe Deçiqi – dy skuadrat që kryesojnë tabelën – janë vetëm katër pikë larg.
„Do të punojmë shumë që ta ngremë nivelin fizik dhe cilësinë e lojës. Jam i bindur që shumë shpejt do të arrijmë në nivelin që kërkojnë tifozët dhe klubi“, shtoi Vukiçeviç.

Mesfusha, pika më e dobët – dhe një listë e gjatë mungesash

Ai pranoi hapur se skuadra ka rënë në cilësi, veçanërisht në mesfushë:
„Është e qartë se nuk kemi nivelin që kishim sezonin e kaluar në mesfushë. Jemi të detyruar të ndryshojmë stil dhe kemi vështirësi kur duam të bëjmë presing të lartë.“

Në përballjen e fundit, Buduçnosti ishte pa gjashtë lojtarë kyç për shkak dëmtimesh apo pezullimesh, ndërsa disa të tjerë u kthyen të papërgatitur fizikisht.

Mundësi për kthesë në derbin e së dielës

Sfida e radhës për Buduçnostin është derbi më i madh i futbollit malazez – përballja me liderin Sutjeska në Nikshiq. Një fitore në këtë ndeshje do të ishte më shumë se thjesht tre pikë – do të ishte sinjali që Vukiçeviç mund ta rikthejë Buduçnostin në rrugën e titullit.

Për publikun kosovar dhe shqiptar, mbetet interesant të shihet nëse ish-trajneri i Feronikelit dhe Laçit do të arrijë të kapërcejë këtë krizë edhe në klubin më të madh të Malit të Zi.