Bashkimi shkruan histori: Kualifikohet në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup

Bashkimi

Pavarësisht humbjes në ndeshjen e fundit, Bashkimi ka siguruar një arritje historike për basketbollin prizrenas dhe atë kosovar. Klubi u kualifikua për herë të parë në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, falë një rregulli të veçantë të kompeticionit.

Sipas rregullores së FIBA-s, tre ekipe me diferencën më të vogël të humbjes në raundin eliminator përzgjidhen si “lucky losers” dhe vazhdojnë garën. Në këtë listë u përfshi edhe Bashkimi, duke e bërë klubin pjesë të historisë së basketbollit evropian.

Në njoftimin zyrtar, klubi prizrenas shprehet:
„Rrugëtimi ynë në Evropë do të vazhdojë! Zyrtarisht jemi pjesë e grupeve të FIBA Europe Cup, për herë të parë në historinë e klubit.“

Ky kualifikim jo vetëm që e vendos Bashkimin në një arenë më të madhe, por gjithashtu sjell një kapitull të ri për basketbollin kosovar, duke rritur pritshmëritë dhe emocionet për ndeshjet që vijnë.