Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka ndarë çmimin tradicional “Ylli i Javës” për javën e dhjetë të kampionatit.

Këtë herë, vlerësimi i është dhënë sulmuesit të FC Malisheva, Altin Aliu, i cili ishte vendimtar në fitoren 2:0 ndaj FC Prishtina e Re, duke shënuar të dy golat e takimit dhe siguruar tri pikë të rëndësishme për skuadrën e tij.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, që përbëhet nga Afrim Visoka, Agim Xhakolli dhe Fisnik Ademi.
Pas pranimit të çmimit, Aliu shprehu falënderim dhe besim në objektivat e klubit:
“Kemi përgatitur ndeshjen në mënyrë të detajuar, me analizë të thellë të kundërshtarit. Malisheva është në një fazë këndelljeje dhe synimi ynë është dalja në Evropë. Edhe pse kemi kaluar një periudhë të lodhshme, po rikthejmë formën tonë. Falënderoj bashkëlojtarët dhe stafin për mbështetjen – është kënaqësi të shpallesh lojtari më i mirë i javës. Shpresoj të shpërblehem edhe më shpesh”, u shpreh ai për faqen zyrtare të FFK-së.