Kosova e femrave mbyll me humbje fazën play-out – Turqia fiton bindshëm edhe në ndeshjen e kthimit

Kombëtarja e Kosovës në futboll për femra ka pësuar një tjetër humbje ndaj Turqisë në fazën “play-out” të Ligës B të Ligës së Kombeve të UEFA-s, duke u mposhtur me rezultat 3-0 në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në stadiumin “Gursel Aksel” të Izmirit.

Pavarësisht përpjekjeve për të kthyer disavantazhin e ndeshjes së parë (4-0 në Prishtinë), Kosova nuk arriti të përmbysë rrjedhën e përballjes. Turqia konfirmoi epërsinë me një paraqitje dominuese edhe në shtëpi, duke siguruar qëndrimin në Ligën B dhe duke e dërguar Kosovën drejt Ligës C për edicionin e ardhshëm.

Ndeshja – kontroll total nga vendaset

Turqia e nisi fuqishëm takimin dhe zhbllokoi rezultatin në minutën e 22-të përmes sulmueses Melike Pekel. Vetëm shtatë minuta më vonë, Kader Hançar dyfishoi rezultatin me një goditje të saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Në pjesën e dytë, Busem Sheker vulosi fitoren me golin e tretë në minutën e 78-të.

Kosova nuk arriti të reagojë me efektivitet, pavarësisht disa ndryshimeve taktike dhe zëvendësimeve të bëra gjatë lojës. Mbrojtja e Turqisë ishte solide, ndërsa mesfusha dominoi ritmin e ndeshjes.

Incident para fillimit – gjyqtarja kryesore humb ndjenjat

Një moment i pazakontë ndodhi para nisjes së ndeshjes, kur gjyqtarja kryesore, Michalina Diakow nga Polonia, humbi ndjenjat gjatë ceremonisë zyrtare për shkak të një rënieje të befasishme të tensionit. Ajo u largua për trajtim mjekësor dhe pas 19 minutash ndeshja filloi nën drejtimin e gjyqtares së katërt, Miriama Bočková nga Sllovakia. Diakow më vonë e vazhdoi ndeshjen si gjyqtare e katërt, pasi u rikuperua.

Me përfundimin e “play-out”-it, Kosova bie në Ligën C të UEFA-s, ndërsa Turqia mbetet në Ligën B dhe vazhdon përgatitjet për kualifikimet evropiane të Kampionatit Botëror “FIFA Women’s World Cup 2027”, që do të mbahet në Brazil nga 24 qershori deri më 25 korrik.

Shorti për fazën e grupeve të kualifikimeve do të hidhet më 4 nëntor në selinë e UEFA-s. Kombëtaret do të luajnë ndeshjet e grupeve në shkurt, prill dhe qershor, ndërsa “play-off”-et përfundimtare do të zhvillohen nga tetori deri në dhjetor.

Nga kontinenti evropian do të kualifikohen 11 ekipe në mënyrë të drejtpërdrejtë në finalet e Botërorit. Katër fituese të grupeve në Ligën A do të sigurojnë menjëherë vendin në Brazil, ndërsa shtatë ekipe të tjera do të përzgjidhen nga fazat “play-off”. Ekipi që renditet i teti do të luajë në “play-off”-in ndërkontinental për një vend të fundit nga Evropa.

Formacionet:

Turqia: Selda Akgöz (K), Elif Keskin, Gülbin Hız (70′ Kezban Tağ), Eda Karataş (86′ Meryem Küçükbirinci), İlayda Civelek, Ebru Topçu, Meryem Cennet Çal, Melike Pekel (70′ Didem Karagenç), Ece Türkoğlu, Miray Cin (46′ Busem Şeker), Kader Hançar (84′ Melike Öztürk)

Kosova: Florentina Kolgeci, Rrezona Ramadani (80′ Valentina Limani), Fatlinda Ramaj (46′ Sara Sahiti), Donjeta Halilaj, Blerta Smaili, Lumbardha Misini, Ereleta Memeti (K) (85′ Elona Paci), Kaltrina Biqkaj (46′ Aurora Muliqi), Marigone Tahiri, Argnesa Gashi, Modesta Uka (68′ Valentina Metaj)

Golat: Melike Pekel (22′), Kader Hançar (29’ – pen.), Busem Sheker (78′)

Kartona të verdhë: Fatlinda Ramaj, Blerta Smaili (Kosova); Miray Cin, Melike Pekel, Ebru Topçu (Turqia)