Sky: Spalletti i gatshëm të pranojë ofertën e Juventusit, takimi vendimtar nesër – Buffon mbështet Spallettin

Sipas “Sky Sport Italia”, Luciano Spalletti është i prirur të pranojë ofertën e Juventusit, me një takim vendimtar që pritet të zhvillohet të martën mes palëve. Klubi torinez synon t’i ofrojë një kontratë afatshkurtër me opsion rinovimi.

Juventusi është në kërkim të një trajneri të ri pas shkarkimit të Igor Tudorit të hënën. Kroati u largua pas tetë ndeshjesh pa fitore në të gjitha kompeticionet dhe katër sfidave radhazi pa shënuar gol, duke u bërë trajneri i parë në Serie A që humb postin në sezonin 2025-26 – vetëm pas tetë javësh kampionat.

Takim ballë për ballë dhe kontratë me kushte të qarta

Sipas raportimeve të Gianluca Di Marzios dhe “Sky Sport Italia”, bisedimet me Spallettin pritet të zhvillohen që nesër (e martë). Ish-trajneri i Napolit dhe kombëtares italiane është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e “Zonjës së Vjetër”.

Propozimi i Juventusit përfshin një kontratë deri në fund të sezonit 2025-26, me detyrim rinovimi në rast se klubi kualifikohet për Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Ende nuk është vendosur nëse zgjatja do të jetë për 12 muaj apo për dy vite të plota, por raportimet e së hënës mbrëma thonë se Spalletti është i gatshëm ta pranojë çfarëdo forme të rinovimit.

“Sky” shton gjithashtu se Spalletti ka refuzuar oferta të tjera në javët e fundit, përfshirë një propozim nga Fenerbahçe dhe disa oferta të majme nga Katari, për të qenë i lirë për një rikthim në Serie A.

Juventusi në bisedime direkte me Spallettin për të zëvendësuar Tudorin

Buffon mbështet Spallettin për stolin e Juventusit: “Me të nuk humb shumë”

Legjenda e Juventusit dhe Italisë, Gianluigi Buffon, ka shprehur hapur mbështetjen për Luciano Spallettin, që shihet si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e “Zonjës së Vjetër” pas shkarkimit të Igor Tudorit.

Juventusi zyrtarizoi të hënën largimin e trajnerit kroat pas tetë ndeshjesh pa fitore dhe katër pa shënuar gol. Fitorja e fundit e bardhezinjve në të gjitha garat mbetet suksesi 4-3 ndaj Interit më 13 shtator në “Derby d’Italia”.

Përveç Spallettit, janë përmendur edhe emra si Roberto Mancini dhe Raffaele Palladino, por kontakti më konkret është tashmë me ish-trajnerin e Napolit dhe përfaqësueses italiane.

Buffon: “Spalletti është më i miri për klube ambicioze”

Gjatë ceremonisë për 100-vjetorin e gazetës “Corriere dello Sport” në Napoli, Buffon u shpreh qartë:
“Për mua, Luciano është profili i duhur për çdo klub të madh që dëshiron të mbetet ambicioz. Me të nuk humb shumë”, tha ish-portieri, që aktualisht shërben si shef i delegacionit të kombëtares italiane.

Buffon dhe Spalletti kanë punuar së bashku në kombëtare nga viti 2023 deri në verën e 2025. Spalletti ishte përzgjedhës i Italisë, ndërsa Buffon mban ende rolin drejtues brenda stafit teknik.

“Do të ishte një zgjedhje profesionale e shkëlqyer”, shtoi Buffon. “Ai është njeri futbolli, person i madh dhe trajner i madh. Me përvojën, karizmën dhe autoritetin që ka, është njeriu i duhur për një klub si Juventusi.”